"Oda Dibrane", çmimet shkojnë në tri shtete
Përfundoi edicioni i 14-të i festivalit folklorik "Oda Dibrane" 2008. Për tri net me radhë, në Pallatin e Kulturës të qytetit të Peshkopisë, grupet folklorike nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi etj., kanë shpalosur para artdashësve dibranë vlerat më të mira burimore folklorike të trevave nga kanë ardhur. Kështu, në natën e tretë të ditës së shtunë konkurruan grupet folklorike të Strugës, Rumanisë, Tetovës dhe Vlorës. Nata finale u ndoq nga një numër rekord shikuesish dhe të ftuarish të shumtë. Me interes të veçantë në këtë natë finale u ndoq ansambli artistik "Giurgiu", Rumani, i cili kishte bërë një figurë të mirë në përshëndetjen që dha natën e parë të hapjes së këtij festivali. Interesimi i madh për natën finale lidhej edhe me ndarjen e çmimeve nga juria për grupet pjesëmarrëse. Kështu, mes duartrokitjeve të të pranishmeve, juria nën drejtimin e Rexhep Çelikut nderoi me çmim të parë grupet folklorike të qytetit pritës të Peshkopisë, Tetovës dhe ansamblin folklorik "Giurgiu" të Rumanisë, i cili bëri një figurë shumë të mirë në interpretimin me nivel tepër të lartë artistik të këngës dhe valles burimore folklorike rumune. Gjithashtu, përveç çmimeve të para për tri grupet fituese, juria akordoi çmime edhe për interpretimet më të mira të këngës dhe valles së dhënë nga grupet pjesëmarrëse. Në përfundim, kryetari i jurisë, Rexhep Çeliku, shprehu vlerësime dhe konsiderata për të gjitha grupet dhe pjesëmarrësit në këtë festival, për përgatitjet mjaft serioze dhe me nivel të lartë artistik që ata kishin bërë, që padyshim, siç tha ai, do të shërbejnë si një bazë mjaft e mirë për rritjen e mëtejshme të nivelit të këtij festivali, që tashmë është kthyer në tradicional, duke u renditur për nga vlerat dhe gjithçka tjetër pas atij të Gjirokastrës.