Gruevski: Raportet me BDI-në janë përkeqësuar

Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski deklaroi se raportet me Bashkimin Demokratik për Integrim të Ali Ahmetit janë përkeqësuar. Në një intervistë të dhënë revistën shkupjane Telegraf, ai ka thënë se për sa kohë do të ketë trend rritjeje të standardeve në të gjitha fushat. do të ketë logjikë ky koalicion. “Ky është misioni për ne si politikanë, reforma të vazhdueshme për të mirën e të gjithëve, pavarësisht nëse është maqedonas, shqiptar, turk, serb, rom, boshnjak, vllah apo diçka tjetër. Pavarësisht nëse është i krishterë, mysliman ose ateist”, ka theksuar Gruevski.Duke iu referuar deklaratave të zyrtarëve të BDI-së për gjuhën shqipe, Gruevski ka thënë se ato nuk janë të realizueshme, ndërsa ka porositur ata të përkushtohen ndaj, siç ka thënë, gjërave më thelbësore, transmeton TCH.
Thelbësore, sipas tij, do të duhej të ishte fakti se nxënësit e fillores bojkotojnë mësimin e dy gjuhëve kryesore në vend e jo nëse Kuvendi drejtohet në gjuhën shqipe apo maqedonase, apo nëse shqiptarët dëgjojnë Kuvendin me sinkronizim në shqip.
“Është një rezistencë që të dy gjuhët (shqipja dhe maqedonishtja) të mos mësohen nga klasa e parë. Nga ana tjetër, kemi një ligj që mundëson që nxënësit maqedonas të mund të mësojnë shqip si lëndë zgjedhore në shkollë, por këtë nuk e bën thuajse asnjëri. Politikanët heshtin për këtë, sepse nuk duan të humbin pikë në politikë. Pyes veten, ku na çon kjo? Nëse tani nuk jetojmë me njëri-tjetrin, por njëri pranë tjetrit, si do të jetë pas 20 ose 30 vjetësh? Si do të kuptohemi atëherë? Me përkthyes ose në anglisht do të komunikojmë? Këto janë probleme thelbësore”, ka theksuar Gruevski./Indeksonline/