E Diel, 1 Nëntor 2026

Totozani në Greqi, viziton burgun e grave

Avokati i Popullit, Igli Totozani përfundoi sot vizitën zyrtare në Greqi, ku ndodhej me ftesë të homologes greke, Calliope Spanou. Siç bën të ditur zyra për shtyp e Avokatit të Popullit, ditën e fundit të vizitës Igli Totozani vizitoi një nga burgjet e Greqisë, pikërisht burgun e grave në Eleona të Thivës, ku vuajnë dënimin 43 gra shqiptare. Ndër problemet që kanë paraqitur qytetaret shqiptare ishin mungesa e librave dhe literaturës në gjuhën shqipe, kërkesa për transferim, për të realizuar dënimin në Shqipëri, pamundësia financiare për të paguar avokat mbrojtës dhe për të kryer shërbime të caktuara, etj.

Kjo ishte hera e parë që të burgosurat shqiptare, të cilat vuajnë dënimin në burgjet greke, vizitohen nga një zyrtar shqiptar.

I njëjti burim bën me dije se për të gjitha problemet e ngritura nga emigrantët, nga vizita në burgje, apo të dala në takime dy palëshe, Avokati i Popullit do të ngre një grup pune, për të përgatitur rekomandimet përkatëse për Ministrinë e Jashtme shqiptare, si dhe një raport të posaçëm për Parlamentin e ri./Indeksonline/  

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›