E Diel, 1 Nëntor 2026

Gruevski, bisedime me Thaçin dhe Ahmetin

Kryeministri Nikolla Gruevski këtë javë do të vazhdojë bisedimet intensive me kryetarin e PDSH-së, Menduh Thaçi dhe të BDI-së, Ali Ahmeti për formimin e koalicionit qeveritar.

Lajmi është konfirmuar edhe nga zëdhënësi qeveritar, Ivica Bocevski, i cili paralajmëron takime të reja për të konkretizuar zgjerimin e koalicionit qeveritar.

Ai deklaroi për agjencinë INA se këto takime do të bëhen zyrtare nga ana e Qeverisë.

Sipas afateve zyrtare, 12 korriku është data e fundit deri kur mandatari Nikolla Gruevski duhet të formojë Qeverinë dhe programin qeveritar.

PDSH nuk ka komentuar rrjedhën e bisedimeve, porse sipas tyre gjatë kësaj jave do të vazhdojnë takimet me kryeministrin Gruevski për formimin e Qeverisë.

BDI sot jozyrtarisht ka bërë të ditur se nga mandatari Gruevski do të kërkojnë që të pranohen kërkesat e Marrëveshjes së Majit, që ka të bëjë me zyrtarizimin e gjuhës shqipe, ligjin për familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës së U]K-së dhe kërkesa të tjera, duke përfshirë edhe njohjen e Kosovës. Me këtë theksojnë në BDI, nëse pranohen kërkesat e tyre, atëherë kjo parti do të mbështes edhe programin qeveritar të kabinetit të Gruevskit.

VMRO-DPMNE gjithashtu nuk është shprehur për agjencinë e lajmeve INA lidhur me rrjedhën e bisedimeve me dy partitë shqiptare për formimin e koalicionit qeveritar. Kjo parti konfirmon se lideri i tyre Nikolla Gruevski po vazhdon negociatat dhe ato do të mbyllen së shpejti, ku siç thuhet më pas do të dihet edhe partneri i koalicionit nga radhët e shqiptarëve. Informacionet e fundit mediale të thirrura në burime të diplomatëve në Shkup bëjnë të ditur se një opcion për formimin e qeverisë është edhe përfshirja e dy partive PDSH dhe BDI. (INA) 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›