E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gruevski dënon incidentet ndëretnike: Të ndëshkohen autorët

Incidentet e fundit ndëretnike të shënuara në Shkup dhe qytete të tjera të Maqedonisë, ku më 7 mars u rrahën nga huliganë maqedonas 15 nxënës në një autobus, i dënoi sot edhe Kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski. Ai i cilësoi sulmet, si sjellje të pandershme dhe të paguximshme, ndërsa kërkoi nxjerrjen para ligjit të autorëve.

Kryeministri maqedonas u bëri apel të gjitha subjekteve politike të respektojnë bashkëjetesën ndëretnike.
“Fillimisht e dënoj sjelljen e disa personave që marrin hapa të pamenduar. Kjo është e paguximshme, e pandershme dhe e paligjshme. U bëj apel të gjithëve të përmbahen nga punë të tilla dhe të ndikojnë tek të rinjtë dhe prindërit e tyre dhe mësimdhënësit të veprojnë në drejtim të sjelljes së arsyeshme të personave të rinj. E di që ata kanë energji të tepërt, por është mirë që ta shpenzojnë në punë pozitive dhe krijuese, e jo në prishjen e qetësisë dhe rehatisë së qytetarëve”, deklaroi Gruevski.

Ai u bëri thirrje edhe subjekteve politike të mos e keqpërdorin situatën dhe, siç tha, të mos shkojnë me gjuhën të urrejtjes, me gjuhën e cila indirekt dhe direkt i inkurajon disa struktura të reja, të cilat po hedhin me dhunë energjinë e tyre negative.

Kryeministri shtoi se me këtë mënyrë të dhunshme, subjektet në fjalë nuk kontribuojnë të vijnë në pushtet, por krijojnë imazh negativ për subjektet politike që përfaqësojnë.

Kreu i ekzekutivit Gruevski nënvizoi se edhe Ministria e Punëve të Brendshme dhe institucionet kompetente shtetërore do të marrin të gjitha masat për dënimin e autorëve dhe nxjerrjen e tyre para drejtësisë.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›