E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gruevski pesimist për çështjen e emrit

Nga Express më 19 shkurt 2011 në ora 12:00

Kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski, deklaroi se nuk pret që as Shtetet e Bashkuara, e as ndonjë vend tjetër, të zgjidhin mosmarrëveshjen greko-maqedonase për emrin e vendit.

Gruevski thotë se vetëm Maqedonia dhe Greqia mund ta zgjidhin këtë mosmarrëveshje, duke vënë në dukje se zyrtarët maqedonas duhet ta mbajnë vëmendjen tek kjo çështje.

Udhëheqësi maqedonas i bëri këto komente, pas takimeve që pati në Washington me zëvendëspresidentin amerikan, Joe Biden dhe sekretaren e shtetit, Hillary Clinton.

Biden dhe Clinton i tërhoqën vëmendjen kryeministrit të Maqedonisë për bllokimin e procesit të integrimit të vendit në strukturat euroatlantike.

Biden dhe Clinton, në takimet e realizuara me kryeministrin e Maqedonisë, i kanë bërë me dije këtij të fundit nevojën për zgjidhjen e shpejtë të kontestit të emrit, një zgjidhje që siç bëhet e ditur duhet të vijë nga dy vendet e përfshira në këtë proces.

Greqia do që Maqedonia ta ndërrojë emrin, pasi një rajon në Greqi ka të njëjtin emër. Maqedonia nuk e ka pranuar këtë kërkesë të Athinës zyrtare.

Greqia, anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, ka bllokuar përpjekjet e Maqedonisë për anëtarësim në të dyja këto organizata për shkak të kësaj çështjeje.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›