E Diel, 1 Nëntor 2026

Gruevski sfidon BE-në: “Jo mbrojtje homoseksualëve”

Autori i Lajmit: Redaksia

Kryeministri i Maqedonisë ka sfiduar Brukselin për sa i përket qëndrimit të qeverisë ndaj ligjit për mbrojtjen e homoseksualëve. Nikolla Gruevski nuk ka hequr dorë nga ndryshimi i Ligjit kundër Diskriminimit, edhe përkundër presioneve dhe sugjerimeve nga ana e Komisionit Evropian. Kryeministri Gruevski ka nënvizuar se nuk e sheh të nevojshme që të bëjë ndryshime në këtë ligj, edhe pse Komisioni Evropian nëpërmjet një letre speciale rekomandoi që Ligji të plotësojë standardet dhe normat për mbrojtjen e të drejtave në sferën e orientimit seksual. “Ne kemi informuar opinionin për këtë dhe nuk dua të shtoj asgjë. Të gjitha pyetjet i parashtroni në Parlament, pasi atje është sjellë vendimi”,- ka theksuar kryeministri Gruevski, i pyetur lidhur me letrën paralajmëruese të eurokomisionerit për Zgjerim, Stefan Fule. Përveç Brukselit, Ligji i antidiskriminimit ka vijuar me kritika edhe nga institucionet vendore, duke përfshirë edhe Avokatin e Popullit. Ligji antidiskriminim është miratuar javën e kaluar me votat e deputetëve të VMRO-DPMNE dhe BDI-së. Ligji përjashton mbrojtjen e të drejtave të homoseksualëve dhe kategorive tjera, por partitë e koalicionit kanë theksuar se mbrojtja e këtyre kategorive është përfshirë me termin “llojet e tjera të diskriminimit”.
Miratimi i ligjit
Javën e kaluar shumica parlamentare në Maqedoni i ka dhënë dritë jeshile Ligjit kundër Diskriminimit, por duke anashkaluar rekomandimet e Bashkimit Evropian lidhur me mbrojtjen e homoseksualëve dhe grupeve të tjera të margjinalizuara seksuale. Ligji është miratuar nga deputetët e VMRO-DPMNE dhe BDI-së, ndërsa LSDM para votimit ka braktisur seancën parlamentare. Deputetët e LSDM-së kishin propozuar versionin e tyre të ligjit, duke qenë në përputhje me rekomandimet e Brukselit, mirëpo ato nuk janë pranuar nga ana e deputetëve të mazhorancës. Mospërfshirja e qartësuar e orientimit seksual si bazë për të mbrojtur nga diskriminimi, ka shkaktuar reagimet e ashpra nga ana e Bashkimit Evropian. Qëndrimi i qeverisë për mospërfshirjen në ligj, të një neni të veçantë për mbrojtjen e homoseksualëve është kundërshtuar ashpër edhe nga disa institucione të tjera.
Propozimi
Orientimi seksual doemos duhet të jetë pjesë e Ligjit për parandalimin e diskriminimit, thuhet në qëndrimin e Komisionit Evropian. Në letrën nga zëdhënësja e eurokomisionerit për Zgjerim, Stefan Fule, thuhet se me ligjin e ri nuk janë respektuar direktivat 2000/43 dhe 2000/78 të Komisionit Evropian, të cilat parashikojnë se orientimi seksual duhet të përmendet si bazë mbi të cilën është ndaluar të diskriminohet. Përfshirjen e orientimit seksual në ligj e kërkoi eurodeputeti slloven dhe raportues për Maqedoninë, Zoran Taler. “Kur eurokomisioneri për Zgjerim apo ambasadori i BE-së në Shkup do të deklarojnë diçka, këto nuk janë linja apo qëndrime partiake, ekzistojnë standarde dhe rreth kësaj çështjeje punët janë pastruar në BE edhe në gjykatë edhe në konventat edhe kudo. Ne në BE jemi të brengosur lidhur me atë që tani po ndodh rreth ligjit kundër diskriminimit, më së shumti për shkak se kjo është një simptomë e rrezikshme, ska lidhje se çka është rregullative evropiane, ne kemi qëndrimin tonë dhe e bëjmë këtë për inat. Ky është një sinjal shumë negativ. Kishte paralajmërime të qarta, këto janë diskutime të cilat në BE zhvilloheshin para 20-30 vitesh dhe tani në BE kemi standard të cilin e respektojnë të gjithë, edhe Polonia edhe Portugalia edhe të gjithë të tjerët”,- shprehet Zoran Taler.
Ky lajm është publikuar: 18/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›