Gruevski:Në Maqedoni do mbahen zgjedhje të lira

Kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski ka deklaruar se vendi i tij është i gatshëm të organizojë zgjedhje të lira dhe demokratike marsin e këtij viti. Nikolla Gruevski ka shtuar se për këtë, që pas mbajtjes së zgjedhjeve të kaluara paralmentare ku u shënuan incidente, deri më tani janë bërë ndryshime të shumta për të garantuar mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. "Ne do të bëjmë gjithçka që është në dorën tonë dhe shpresoj se ashtu do të jetë. Do të kemi zgjedhje të lira dhe demokratike, ndërruam ligjin e zgjedhjeve të kaluara. Bëmë gjithçka që ishte në dorën tonë, që deri tani krijon kushte më të mira që të organizohen zgjedhje të lira dhe demokratike. Unë jam i bindur thellësisht se edhe aktorët e tjerë politikë, posaçërisht ata që ishin më së shumti të përfshirë në ato incidente, kanë nxjerrë një mësim, dhe se këtë herë do të kemi zgjedhje të suksesshme", u shpreh kryeministri maqedonas Gruevski. Duke folur për procesin e bisedimeve mes Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrit, Gruevski tha se pret që ndërmjetësi i OKB-së Metju Nimic të thërrasë negociatorët në një takim të ri. Gruevski tha se negociatori i ri i Maqedonisë në bisedimet me Greqinë Zoran Jolevski është i përgatitur për raundin e ri të bisedimeve. Që nga emërimi i Zoran Jolevskit për negociator kryesor të Maqedonisë, ndërmjetësi Nimic nuk ka ulur në tavolinë dyja palët për bisedime.