Grup pune për të ndaluar shfrytëzimin pirat të minierave
Më në fund duket se qeveria është kujtuar për disiplinimin e punës në pellgun krommbajtës të Bulqizës. Kështu, në ditën e sotme, në ambientet e Bashkisë Bulqizë, është zhvilluar një takim për krijimin e një Task-Force, nën drejtimin e prefektit të Qarkut Dibër, Xhafer Seiti, me pjesëmarrje të policisë, Tatim-Taksave, Inspektoratit të Punës, Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, si dhe Drejtorisë së Punës dhe Sigurimeve Shoqërore (RISHM). Ngritja e kësaj strukture, nga ana e qeverisë, me propozim të RISHM-it, bëhet për të disiplinuar punën në pellgun krommbajtës të Bulqizës, që do të thotë largimi i subjekteve të paligjshme dhe disiplinimi i atyre të ligjshme. Përfaqësuesi i AKBN-së, në këtë takim, ka pohuar se ka fluks kërkesash për privatizim galerish nga subjekte private, por në ndryshim nga vitet e kaluara çdo projekt për shfrytëzim galerish në minierën e Bulqizës do të bëhet nga AKBN-ja dhe jo më nga studio private. Sipas një kontrolli të zhvilluar para pak ditësh nga RISHM-i, ka rezultuar se gjysma e Zonës D (pjesa më e pasur me mineral të cilësisë së lartë në kompleksin minerar të Bulqizës), nuk mund të përdoret, pasi paraqet rrezik për jetët njerëzore të punonjësve, ndërkohë që aty vazhdohet të punohet. Sipas policisë, METE duhet të rishikojë mënyrën e dhënies së lejeve, pasi siç u deklarua në këtë takim, shumë nga këto firma të licencuara vazhdojnë të mbeten fantazmë. Kështu, sipas zyrës së Tatim-Raksave Bulqizë, nga 100 shoqëri të licencuara për shfrytëzim kromi, 42 prej tyre mbeten fantazmë, pasi nuk u gjendet dot adresa. Ndërsa sipas firmave private që veprojnë për shfrytëzimin e mineralit të kromit, në pellgun e Bulqizës, ku bëjnë pjesë edhe Martaneshi dhe Tërnova, u tha se problem për ta mbeten firmat e paligjshme, që duke qenë të tilla krijojnë mjaft probleme për ta. Në këtë takim foli edhe kryetari i Bashkisë Bulqizë, Roland Keta, i cili përshëndeti krijimin e kësaj Task-Force për minierën e Bulqizës, e cila ka si qëllim kryesor të ngritjes së saj mbrojtjen e jetëve njerëzore. Deri më tani, tha në fjalën e tij ai, strukturat e shtetit nuk kanë punuar sa e si duhet, pasi në të kundërt nuk do të kishin ndodhur aq shumë aksidente në këtë minierë. “Si drejtues i pushtetit vendor, vijoi në fjalën e tij kryebashkiaku Keta, jam shumë i interesuar për sigurimin e jetëve njerëzore në shfrytëzimin e mineralit të kromit. Ndaj krijimin nga ana e qeverisë së Task-Forcës për minierën tonë të Bulqizës, e përshëndes me gjithë zemër, se duke marrë fund firmat e jashtëligjshme dhe duke u disiplinuar ato të ligjshme, garantohen nga rreziku jetët njerëzore të minatorëve”.
#