E Shtunë, 31 Tetor 2026

Claudio Pozzani

Poeti, narratori dhe muzikanti italian Claudio Pozzani kthehet i ftuar në Shqipëri në kuadër të veprimtarisë "Italia dhe Shqipëria 2010 – dy popuj, një det, një miqësi”. Ai ka vizituar Beratin, Durrësin dhe sot do të jetë në Shkodër për ta përmbyllur aktivitetin e tij në Tiranë. Poeti do të promovojë diskun e tij me poezi, interpretuar nga vetë ai, ku përfshihen edhe tinguj muzikorë, me muzikë xhaz e bashkëkohore Poezi dhe muzikë në Shqipëri

Sot do të jetë në Shkodër. Vetëm pak ditë më parë ishte në Berat, e në Durrës. Pas kësaj, më 20 mars, do të jetë në kryeqytet. Edhe këtu do të performojë me poezinë dhe CD-në e tij “La marcia dell’ombra”, ku përfshihen 12 poezi të autorit italian shoqëruar me muzikë. Claudio Pozzani, poet, narrator dhe muzikant, artist i angazhuar dhe mjaft i interesuar në çështje të kulturës, është rikthyer në Shqipëri si i ftuar në kuadër të veprimtarisë “Italia dhe Shqipëria 2010 - dy popuj, një det, një miqësi”. Disku “La marcia dell’ombra”, sjell poezitë e veshura nën ritmin muzikor duke nisur prej rrymës xhaz dhe asaj bashkëkohore. Ai i referohet si publikut muzikor ashtu edhe letrar. “Zgjedhja për t’ia besuar poezitë e mia një disku në vend që t’ia besoja një libri ka të bëjë me faktin se dua të vë theksin te prioriteti që ka aspekti oral në poezi. Kontakti me publikun për një poet është thelbësor: reagimet e ndryshme, komunikimi që vendoset mes zërit tënd dhe platesë... janë këto elemente shumë të rëndësishme, akoma më të rëndësishme se sa recensionet nëpër revista. Gjendet në poezi një gjuhë magjike, që rend përmes vargjeve të shkruara dhe harmonizohet me thellësinë e qenies së secilit prej nesh. Kur poeti arrin të aktivizojë këtë alkimi, atëherë fjalët e tij i flasin drejtpërdrejt shpirtit të lexuesit, por në rastin konkret te dëgjuesi”, ka thënë poeti gjatë publikimit të këtij disku me poezi. Pas datave të parashikuara në Shqipëri, Claudio Pozzani do të vijojë me turin e tij promovues edhe nëpër aktivitete të ndryshme, siç janë festivalet poetike. Pas vizitës në vendin tonë, poeti italian do të jetë në Tunizi, Kosta Rika, Kubë, Francë, Maqedoni, Brazil, Kanada etj. Krijimtaria e Pozzani-t në shqip është e njohur përmes botimit dygjuhësh "Nuk di nëse deti/ Non so se il mare", përkthyer në shqip nga Silvana Leka dhe botuar nga “Ideart”. Claudio Pozzani lindi në Xhenova në vitin 1961. Ai është i njohur në Itali dhe Europë si poet, prozator dhe muzikant. Gjithashtu është shquar për performancat dhe teatrin e poezisë, të cilat i ka paraqitur në festivalet më të njohura të poezisë në botë. Poezitë e tij janë përkthyer në disa gjuhë dhe janë përfshirë në antologjitë dhe revistat e ndryshme bashkëkohore. Claudio Pozzani është anëtar i komisionit të UNESCO-s për Poezinë. Përmbledhja e tij e fundit me poezi është botuar në 2001 në version dygjuhësh (italisht-frëngjisht) me titullin "Saudade & Spleen", botuar nga shtëpia botuese “Editions Lanore” në Paris. Si prozator ai ka botuar romanin "Angolazioni temporali", "Kate ed io", si dhe përmbledhjen "Racconti dai piedi freddi". Në vitin 2002, me rastin e Ekspozitës së Librit në Paris, kushtuar Italisë, në Francë u botua romani i Claudio Pozzani-t "Kate et moi". Në vitin 1983, Pozzani themeloi Circolo dei Viaggiatori nel Tempo, një shoqatë kulturore që është fokusuar veçanërisht drejt poezisë dhe organizon festivale e veprimtari ndërkombëtare në të gjithë Europën. Në vitin 2001 ai krijoi Shtëpinë Ndërkombëtare të Poezisë me qendër në Pallatin Dukal të Xhenovas. Si muzikant, më 1986-n, Claudio Pozzani krijoi grupin e rokut “Cinano”, me të cilin ka realizuar turne të shumtë në Itali dhe Europë, si dhe është përfshirë në Enciklopedinë Italiane të Muzikës. Që nga viti 1990, Pozzani është drejtues dhe kompozitor i orkestrës Eczema, një formacion i muzikës rumorsimfonike. Për veprimtarinë e tij kulturore dhe performancat poetike, poeti dhe dramaturgu i shquar Fernando Arrabat e ka përcaktuar Claudio Pozzani-n si “mjeshtër i së padukshmes, yshtës i ëndrrave, vjedhës i zjarrit: zemra e tij vallëzon në shtretër mbretërorë feste”.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›