FMN: Qeveria duhet të shkurtojë sërish shpenzimet
Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka sugjeruar qeverisë shqiptare të kryejë shkurtime të mëtejshme në programin e shpenzimeve buxhetore të këtij viti, si rruga e vetme për të përmbajtur deficitin buxhetor në një nivel të pranueshëm dhe për të mos lejuar rritjen e mëtejshme të stokut të borxhit publik, bëhet e ditur nga burime jozyrtare prej qeverisë. Qeveria, nga ana e saj, nuk lejon publikimin e raporteve të përgatitura nga FMN-ja dhe që kanë lidhje me Shqipërinë, një e drejtë që i takon në bazë të marrëveshjes së anëtarësimit te Fondi. FMN-ja e përshëndeti planin e qeverisë për të “ngrirë” 30 miliardë lekë shpenzime nga programi i këtij viti, shifër kjo e barabartë me 2.5 për qind të PBB-së. Por Fondi paralajmëroi se një ulje kaq e vogël e shpenzimeve do të sjellë deficit buxhetor dy herë më të lartë nga sa ishte premtuar prej qeverisë në fillim të vitit.
“Me gjithë shkurtimet domethënëse në buxhetin e 2010-s të propozuara në kuadrin e ri makroekonomik afatmesëm të qeverisë —rreth 30 miliardë lekë ose 2.5% e PBB-së — prirjet aktuale të të ardhurave nënkuptojnë një deficit prej 5.6% të PBB-së”, deklaroi përfaqësuesi i FMN-së, Gerwin Bell, në konferencën për shtyp të javës së kaluar.
Prapa kuintave mësohet se Fondi i ka kërkuar qeverisë të ulë shpenzimet edhe me 30 miliardë lekë të tjera, ose rreth 300 milionë dollarë, me qëllim që deficiti buxhetor i këtij viti të mos kapërcejë 3 për qind të PBB-së. Një ulje e tillë në shpenzimet buxhetore nënkupton eliminimin e të gjitha shpenzimeve publike për investime, ndërsa qeveria do të duhet të kursejë edhe nga fondet e shpenzimeve operative apo të mirëmbajtjes. Sugjerimi i FMN-së është edhe më drastik se sa skenari më i keq i parashikuar nga Ministria e Financave, e cila sugjeronte shkurtime të shpenzimeve në masën 40 miliardë lekë. Në rast se këshilla e FMN-së zbatohet me korrektësi, Shqipëria mund të ketë këtë vit një buxhet më të vogël se sa në vitin 2009, gjë që nuk ka ndodhur kurrë që nga viti 1990. Por shanset që qeveria të sillet me përgjegjësi në këtë rast janë të pakta.
Askush nuk besonShkurtimi i shpenzimeve buxhetore, sipas FMN-së dhe ekspertëve, e ndihmon vendin, pasi në këtë mënyrë bankat do të nxiten të kreditojnë biznesin dhe publikun e gjerë. Sot për sot, pothuajse të gjitha fondet e lira që gjenden në formën e depozitave nëpër banka, tërhiqen nga qeveria me interesa shumë të larta. Rrjedhimisht bankat kanë shumë pak leverdi të marrin përsipër rrezikun dhe të kreditojnë publikun e gjerë. Ekspertët e Ministrisë së Financave i patën sugjeruar Kryeministrit Sali Berisha se ulja e deficitit buxhetor është një masë e domosdoshme për të marrë një vlerësim pozitiv nga agjencia “Moody’s”, e cila pritet në fund të këtij muaji të japë opinionin e vet mbi aftësinë e qeverisë shqiptare për të shlyer borxhin e vet publik. Por, Kryeministri bëri të qartë se nuk kishte një mendim pozitiv për agjencinë “Moody’s”.
“Fatkeqësia është se ata që vlerësojnë janë vetë për t’u vlerësuar, por kjo është jashtë mundësisë së kësaj qeverie”, deklaroi Berisha, kur lajmëroi valën e parë të shkurtimit të shpenzimeve në shkurt.
Edhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, është mosbesues ndaj premtimit të qeverisë për të filluar uljen e borxhit publik që këtë vit. “Rritja e mëtejshme e borxhit është një ngjarje me probabilitet të lartë ndodhjeje”, deklaroi ai në mars.