E Diel, 1 Nëntor 2026

Grupet rivale përleshen në burgun e Kavajës, plagoset 16-vjeçari

Autori i Lajmit: Redaksia

Një 16-vjeçar, i dënuar për vjedhje, ka mbetur i plagosur pasi është qëlluar me mjete të forta në Institutin e Riedukimit për të Miturit, ku dhe po vuan dënimin.
Xhuliano Hajrullahu nga Durrësi, mori plagë gjatë një përleshjeje mes dy grupe adoleshentësh, në të cilën janë përfshirë rreth 16 të dënuar, ngjarje e cila ndodhi dje në mesditë.
Përplasja
Të rinjtë janë përplasur fizikisht duke përdorur edhe gurë, nga njëri prej të cilëve ka mbetur i plagosur Xhuliano, ndërsa edhe një i mitur tjetër ka marrë fraktura dhe është mjekuar në ambulancën e këtij burgu. Duke qenë se 16-vjeçari ka marrë plagë të rënda në kokë është dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak dhe më pas është përcjellë për tu kuruar në spitalin e burgut. Drejtues të spitalit të burgjeve pohuan se i riu ndodhet aktualisht për kurim pranë këtyre ambienteve por u treguan tepër të rezervuar për të dhënë një version se si është gjendja shëndetësore e të plagosurit. Administrata e burgut ka refuzuar të komentojë ngjarjen. Megjithatë burimet jo zyrtare të këtij burgu këmbëngulin se të miturit, shumica prej tyre adoleshentë, e identifikojnë veten si pjesëtarë të dy grupeve rivale dhe aktualisht po verifikohet se sa është zbatuar rregullorja e burgjeve në një kohë që përballë këtyre konflikteve te miturit nuk duhet të grumbulloheshin bashkë. Ndërkohë, drejt Kavajës janë nisur për të parë situatën edhe inspektorë të Avokatit të Popullit, të cilët pohuan se janë informuar mbi përleshen me dy të plagosur dhe po kryejnë verifikimet përkatëse.
Burgu i Kavajës
Që prej tetorit të vitit 2009 ka nisur funksionimin e tij të plotë Instituti i të Miturve në Kavajë. Në këtë institut trajtohen të mitur nga mosha 14-18 vjeç, që kanë marrë një vendim të formës së prerë. Aktualisht në burgjet shqiptare qëndrojnë rreth 50 të mitur të dënuar dhe të paraburgosur të akuzuar për krime të ndryshe, që nga vjedhja e deri te vrasja.

Ky lajm është publikuar: 09/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›