Grupi Ndërkombëtar i Drejtimit: “Nuk ka ndarje të Kosovës”
Nuk ka ndarje të Kosovës. Kjo ka qenë deklarata e Grupit Ndërkombëtar të Drejtimit(ISG) për Kosovën i mbledhur në Vjenë. “Ndarja as nuk është parashikuar dhe as nuk është qëllimi i këtij grupi”, - ka theksuar Piter Feith, i cili ka drejtuar këtë seancë. "Roli im do të jetë të siguroj garantimin e të gjitha të drejtave dhe mundësive të jetesës për të gjitha grupet, veçanërisht për komunitetin serb”, - tha Feith, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në një konferencë shtypi pas takimit në Vjenë. Ai shtoi se Grupi Ndërkombëtar i Drejtimit ka marrë për këtë mbështetjen e nevojshme nga udhëheqësit e Kosovës. Feith theksoi se Grupi Ndërkombëtar i Drejtimit nuk do të lejojë as dhunën dhe as krijimin e ndonjë institucioni paralel sigurie në territorin e Kosovës. Në këtë takim morën pjesë pesëmbëdhjetë vende. Ky grup do të mbikëqyrë të gjitha aktivitetet nga jashtë në shtetin më të ri europian. Qëllimi është zbatimi i propozimeve të parashtruara një vit më parë nga ndërmjetësuesi i OKB-së, Marti Ahtisari. Në propozimin e tij parashikohej ndërtimi i një shteti të pavarur demokratik të Kosovës me të drejta të veçanta për minoritetin serb. Forumi i ri do të drejtohet nga i ngarkuari i BE-së për Kosovën, diplomati holandez Piter Feith. Ky grup do të zëvendësojë Grupin e Kontaktit që ekzistonte deri sot për Kosovën i përbërë nga SHBA-të, Franca, Gjermania, Italia, Britania e Madhe dhe Rusia. Rusia, si aleate e Serbisë, që e kundërshton pavarësinë e Kosovës, e bojkoton këtë forum të ri. Vendet pjesëmarrëse në ISG: BE-ja, NATO-ja, Zvicra, Finlanda dhe Japonia nënvizuan se duan të mbështesin zhvillimin e Kosovës drejt një "shteti multietnik dhe demokratik.
29 Shkurt 2008