Ftohen gjakrat, drejt paqes MTKRS-FSHF
Presidenti Duka: “Ministri Pango ka firmosur statutin, perspektiva pozitive”. Afati i vendosur nga FIFA dhe UEFA për zgjidhjen e konfliktit është 14 shkurti
Dash Frashëri
Afati i ri i vendosur nga FIFA dhe UEFA (14 mars 2008) ndaj qeverisë dhe Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për të nënshkruar pa kushte statutin e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe heqjen dorë nga kontrolli i Auditit, duket se do t’i japë fund një herë e përgjithmonë konfliktit 3-vjeçar midis MTKRS-së dhe qeverisë së futbollit shqiptar. Të paktën në FSHF janë entuziastë dhe këtë e shpreh edhe presidenti Armand Duka, i cili besohet se është edhe epiqendra ku fokusohet konflikti. “Vazhdon një proces për të arritur një pikë përfundimtare bashkëpunimi. Unë shpresoj shumë në këto hapa”, - tha Duka për mediat. “Përderisa ministri (Pango) ka firmosur statutin, që ndodhej prej një viti, do të thotë se ai ka vullnetin për të pasur një perspektivë pozitive”. Sipas ekspertëve, firmosja e statutit nga ana e zyrtarit të lartë të MTKRS-së vetëm një ditë para se të përfundonte afati i parë i vendosur nga FIFA-UEFA, më 21 shkurt, nuk garanton ende mosmarrjen e masës ekstreme nga dy organizmat më të lartë në rang botëror dhe europian.
UEFA pohoi se në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të saj, më 14 mars, do të diskutohet për të marrë një vendim përfundimtar mbi të ardhmen e Shqipërisë dhe të Spanjës, qeveria e së cilës ndërhyn gjithashtu në punët e futbollit. Duka është i vetëdijshëm për rrezikun që e kanos Shqipërinë në arenën ndërkombëtare. “Më 14 mars do të shikohet se nëse Shqipëria nuk i ka plotësuar kushtet, atëherë fatkeqësisht do të presim edhe një ndëshkim nga ana e tyre”. MTKRS-ja dërgoi një letër në UEFA në lidhje me një implikim të mundshëm të presidentit të FSHF-së (Armand Duka) në trukimin e dy ndeshjeve të humbura të Shqipërisë me Bjellorusinë (2-4, në Tiranë) dhe me Rumaninë (6-1, në Bukuresht). FIFA dhe UEFA kërkuan provimin e akuzave, të cilat për hir të së vërtetës, nuk janë përmbushur, edhe pse Pango, në më shumë se një rast ka pohuar se ndihmësit e tij janë duke mbushur dosjen.
Kushti tjetër që nuk pranohet nga qeveritë e futbollit ndërkombëtar ka të bëjë me auditimin që kërkon të kryejë grupi i kontrollit i përbërë nga financierë të MTKRS-së, Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
Kuqezinjtë shuajnë etjen me ujë “Tepelena”
“Uji Tepelena” do të shuajë etjen e kuqezinjve në fushën e lojës edhe për dy vitet e ardhshme, në sfidat e vështira eliminatore të Kampionatit Botëror “Afrika e Jugut 2010” . Federata Shqiptare e Futbollit dhe kompania “Uji Tepelena” e përfaqësuar nga italiani Luçiano Çirilo firmosën dje në hotel “Rogner Europa Park” marrëveshjen përkatëse. “Unë tani bëj tifo jo për Kombëtaren e Shqipërisë dhe jo për Italinë”, - tha me shaka Cirilo. Krahas dy sponsorëve gjeneralë, Vodafone dhe Western Union, edhe sponsorët e tjerë: Tramondi, Umbro dhe Eton, kanë kontribuar në edicionin e kaluar, në paraqitjen sa më dinjitoze të skuadrës kombëtare.
Mile, 30 mijë lekë gjobë nga djali
Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së vazhdon të jetë i ashpër me shfaqjet që dëmtojnë futbollin. Kështu, trajneri i Teutës, Kristaq Mile, u pezullua një ndeshje nga drejtimi i ekipit dhe me 30 mijë lekë gjobë për gjestet fyese ndaj futbollistit të Tiranës, Lekë Kçira, për një ndërhyrje të rëndë ndaj lojtarit të Teutës, Vangjel Mile, i cili është njëherësh edhe djali i trajnerit beratas. Me gjobë (po 30 mijë lekë) u ndëshkua edhe sekretari i klubit të futbollit “Besëlidhja”, Gjok Jaku, ndaj vëzhguesit në takimin Besëlidhja-Besa. Jaku do të vuajë edhe një ndeshje pezullim. Me gjoba 30 mijë lekëshe u ndëshkuan edhe futbollisti Sejfullaj (Korabi), zyrtari Babasi (Iliria), lojtari Vogli (Iliria), ndërsa me pezullime u ndëshkuan Vojushi (Vllaznia U-17) e Kazazi (Besa U-19).
28 Shkurt 2008