Kaka kuqezi deri në vitin 2013
Ricardo Kaka do të jetë kuqezi deri në vitin 2013. Braziliani dhe Milani arritën marrëveshjen për zgjatjen e kontratës. Lajmi u zyrtarizua përmes një komunikate për shtyp të publikuar në faqen zyrtare të Milanit, që thekson se fituesi i “Topit të artë” do të jetë në urdhrat e drejtuesve të klubit të Berluskonit, deri më 30 qershor 2013. Kështu, edhe përpjekjet e Realit të Madridit për të bërë të vetin asin 25-vjeçar brazilian, dështuan.
Paladiono, besniku i bardhezinjve
Talenti më i ri i shtëpisë së Juventusit, 23-vjeçari Rafale Paladino, i konsideruar edhe si shpresa e futbollit italian, rinovoi kontratën me bardhezinjtë deri në qershor të vitit 2011. Paladino, 21 ndeshje (1 gol) gjatë këtij sezoni, ka zhvilluar dy ndeshje me Kombëtaren e Italisë, së drejtuar nga Roberto Donadoni.
Napoli-Inter, pritet rekord shikuesish
Shpërthejnë ethet anti-Inter. Tifozeria e Napolit i ka blerë të gjitha biletat e hedhura në shitje të lirë (27 mijë), të cilat u shtohen edhe 23 mijë tifozëve të abonuar. Të dielën në mbrëmje mund të thyhet edhe rekordi sezonal në “San Paolo”, i vendosur kur Napoli luante kundër, ku ishin të pranishëm 56 022 spektatorë. Interi, kampion i Italisë dhe kryesues absolut i Serisë A, barazoi të mërkurën me Romën (1-1), duke ruajtur diferencën prej 9 pikësh me skuadrën e Spaletit.
Arrestohet zëvendëskapiteni i Liverpulit
Mbrojtësi i Liverpulit, Xhemi Karager, u arrestua nga policia britanike për t’u lënë i lirë pas disa orësh. Ndalimi u krye mëngjesin e së mërkurës pas një grindjeje të futbollistit të “Reds”-ave me një burrë pranë shtëpisë së Karagerit, i cili është edhe zëvendëskapiteni i skuadrës së Rafa Benitezit dhe lojtar i Kombëtares angleze.
Me vonesë në stërvitje, e nxjerrin në merkato
Ndëshkim shembullor. Mesfushori i Sandërlendit, 27-vjeçari Liam Miler, u nxor nga klubi në merkato vetëm sepse futbollisti irlandez kishte shkuar disa herë me vonesë në stërvitje. Dhe për ta bërë më dramatike ngjarjen, Miler është përjashtuar nga trajneri Roi Kin, një tjetër irlandez. Liam ka luajtur 14 ndeshje me Sandërlendin (1 gol).
Kehl, “verdhacuk” edhe katër vjet
Sebastian Kehl, mesfushori i Borusias së Dortmundit, zgjati kontratën me klubin gjerman të Bundesligës deri në vitin 2012, gjë që kënaqi pa masë drejtuesit e klubit të “verdhë”. 28-vjeçari, i cili më parë ka luajtur edhe me Hanoverin e Frajburgun, luan që nga viti 2002 me Dortmundin. Kehl është gjithashtu lojtar i Kombëtares gjermane (31 ndeshje, 3 gola) por nuk është përzgjedhur nga trajneri Johakim Lëv për Kampionatin Europian 2008.
29 Shkurt 2008