E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bush: “Kufijtë e Kosovës janë të përcaktuar qartë”

“Besojmë në shoqëritë e lira dhe kjo do të çojë në paqe”. Zbulimi amerikan: “Beogradi lejoi sulmet e ambasadave”
“Kufijtë e Kosovës janë të përcaktuar qartë”, - kjo ka qenë deklarata e Presidentit të SHBA-ve, Xhorxh Bush, pas takimit të zhvilluar me kryeministrin e Republikës së Çekisë, Mirek Topolanek, i cili vizitoi kryeqytetin amerikan. Presidenti Bush ka shprehur sërish mbështetjen dhe qëndrimin e vendit të tij në lidhje me pavarësinë e Kosovës, por nuk ka lënë pa përmendur edhe përkushtimin ndaj mbrojtjes së të drejtave të pakicave që jetojnë në shtetin e ri. “E dimë se është një çështje e vështirë, mirëpo Shtetet e Bashkuara e mbështesin pavarësinë e mbikëqyrur. Ne besojmë në shoqëritë e lira dhe besojmë se kjo do të çojë në paqe”, - është shprehur presidenti Bush. Agjencitë kosovare të lajmeve bëjnë të ditur se gjatë konferencës për shtyp, Bush është pyetur për çështjen e Kosovës dhe kufijve të rinj që ekzistojnë tashmë në Europë. Duke hedhur poshtë pyetjen me konstatimin se Amerika po i ndryshon kufijtë e Europës, presidenti Bush ka thënë se nuk ka pasur ndryshim kufijsh. “Kufijtë e Kosovës janë qartë të përcaktuar. Tani edhe qeveria është ndërruar dhe ne presim nga Kosova e pavarur që të respektojë plotësisht të drejtat e pakicave brenda kufijve të saj, që është edhe pjesë e planit Ahtisari”, - ka thënë presidenti amerikan. Ndërkohë, akuza nga shteti amerikan vijnë për qeverinë serbe. Drejtori i Zbulimit Kombëtar, Majkëll Mekonëll, ka fajësuar qeverinë e Beogradit se ka udhëzuar policinë serbe që të mos ndërhynte në sulmet që iu bënë ambasadave të huaja si përgjigje ndaj njohjes së pavarësisë së Kosovës. Mekonëll është shprehur para Komisionit të Senatit për Forcat e Armatosura se ishte pikërisht qeveria serbe ajo që ka udhëzuar policinë të mos ndërhynte në demonstratat e dhunshme në Beograd javën e kaluar. “Ne kemi informacion të mjaftueshëm se kur Ambasada Amerikane, ajo britanike dhe të tjerat u sulmuan, qeveria e Serbisë mori vendimin për ta tërhequr policinë dhe për të lejuar që ato të sulmoheshin, të digjej ambasada dhe të ndërmerreshin aktet e dhunshme”. Sipas tij, parashikohet që
dhuna do të vazhdojë në Serbi në një farë niveli dhe vuri në dyshim vullnetin e qeverisë serbe për të kontrolluar trazirat në të ardhmen. ”Forcat që janë aktualisht atje mund të frenojnë një shkallë të ulët dhune. Nëse ajo merr përmasa, ndoshta do të dilte jashtë kontrollit të tyre. Pyetja që shtrohet është se sa e vendosur është udhëheqja e Serbisë dhe a do të nxisë dhunë në një shkallë shumë më të lartë nga ajo që kemi parë deri tani”. Në këtë raportim, Mekonëll ka bërë një ekspoze të rreziqeve ndaj sigurisë në botë ku ka theksuar paqëndrueshmërinë e situatës në Ballkan pas pavarësisë së Kosovës, por edhe një sërë problemesh të tjera ,siç janë përplasja e serbëve që jetojnë në veri me popullsinë kosovare dhe autoritetet e vendit. Sipas tij, ekziston mundësia e një dhune ndëretnike, e cila mund të përhapej edhe në shtetet fqinje e provokuar veçanërisht nga provokimet serbe ku më pas do të kërkohej ndërhyrja e forcave të NATO-s. I pyetur për rolin e Rusisë lidhur me këtë çështje, drejtori i Zbulimit Kombëtar, Mekonëll, tha se Moska po përpiqet të tërheqë Serbinë në orbitën e saj duke përmendur edhe mosmarrëveshjet mes autoriteteve serbe.

29 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›