E Diel, 1 Nëntor 2026

Grupi, PD: Kandidatura e Topit të jetë në përputhje me Kushtetutën

TIRANË Partia Demokratike nuk do të dekretojë asnjë emër të propozuar nga

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, për KLSh-në, në rast se nuk do të vijë në përputhje me Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që për demokratët nënkupton negociata paraprake. Në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit parlamentar të PD-së, kryeministri Berisha ka përsëritur të njëjtin qëndrim para deputetëve demokratë, duke theksuar se në të gjitha hallkat për dekretin duhet respektuar Kushtetuta. Pak ditë më parë, deputetët demokratë të komisionit të Ligjeve i kërkuan kreut të shtetit që dekreti i ardhshëm për këtë post të konsultohet paraprakisht me Kuvendin. Përmes një deklarate për shtyp, deputetët demokratë janë shprehur se kandidatura e Sali Shehut, e propozuar nga Presidenti i Republikës, ishte në kundërshtim me Kushtetutën dhe se, për dekretin tjetër, Topi duhet të marrë parasysh vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Në këtë vendim të Kushtetueses, që lidhej me emërimin e gjyqtarëve të Kushtetueses dhe Gjykatës së Lartë, theksohej fakti se pëlqimi që kërkojnë normat kushtetuese, nënkuptonte një lloj konsensusi midis dy organeve kushtetuese që përfshihen në procesin e emërimit të gjyqtarëve. Nga ana e tij, Presidenti i Republikës, përmes këshilltarëve ligjorë, sqaronte se kërkesa për dhënien e pëlqimit nga Kuvendi nuk do të thotë një ndërhyrje paraprake e Kuvendit në zgjedhjet e Presidentit, porse Kuvendi ka kompetencën për dhënien ose jo të pëlqimit. Përpos këtij debati, në Presidencë nuk ka mbërritur ende shkresa nga Kuvendi, përmes së cilës kreu i shtetit duhet të njihet zyrtarisht mbi rrëzimin e dekretit për Sali Shehun në krye të KLSh-së dhe emërimin e 6 anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›