Ligjet me 3/5 dhe zgjedhjet, konsensus sekret PD-PS
Projektligjet që kërkojnë 84 vota janë futur në kalendarin e komisionit të Ligjeve. Rusmali: Ka qenë vullneti i të dyja partive në konferencën e kryetarëve. Ruçi: Kemi rënë dakord që të nisë diskutimi. Gati dhe komisionet për reformën zgjedhore dhe rregulloren e Kuvendit
Socialistët dhe demokratët janë drejt një konsensusi të gjerë. Mirëkuptimi i gjetur në rastin e miratimit të anëtarëve të Këshillit Drejtues të Bankës së Shqipërisë duket se ka qenë vetëm fillimi i një marrëveshjeje më të gjerë mes dy forcave të mëdha politike, duke trajtuar edhe pika të tjera të paktit dhjetëpikësh të Partisë Socialiste. Bëhet fjalë për zgjidhjen e ngërçit për ligjet me 3/5-at, ngritjen e komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore dhe nisjen nga puna për të, si dhe reforma parlamentare. Këto janë katër çështjet e para, për të cilat PS-ja dhe PD-ja kanë mundur të arrijnë një mirëkuptim parimor mes tyre për të nisur nga puna për realizimin e tyre. Kjo është vërtetuar edhe në kalendarin trejavor të punimeve të komisionit të Ligjeve, ku janë përfshirë të gjitha ato nisma ligjore për të cilat kërkohet 3/5-at e votave, pra edhe vota e opozitës.
Konsensusi
Përfaqësues të PS-së janë gjendur të befasuar dje në komisionin e Ligjeve kur përpara u është vënë kalendari trejavor i punimeve, në të cilin ishin përfshirë për diskutim të gjitha ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar votash. Ndërkohë që kryetari i komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali u ka kërkuar atyre që së bashku të vendosin dhe datat e sakta se kur do të diskutohet secila nismë. Ndryshe nga sa ka ndodhur shpesh në seancat plenare, ku këto nisma përfshiheshin me vullnet të njëanshëm të mazhorancës në rendin e ditës, dje ekzistenca e tyre në kalendarin trejavor të komisionit të Ligjeve duket se ka qenë produkt i një konsensusi paraprak të arritur mes negociatorëve të të dyja palëve, por që ka qenë i panjohur për pjesën tjetër të deputetëve socialistë, përfshi këtu edhe vetë sekretarin ligjor të PS-së, Fatmir Xhafaj. Interesimit të tij se me konsensusin e kujt këto nisma janë përfshirë në kalendar, kreu i komisionit, Ilir Rusmali i është përgjigjur se ky ka qenë vullneti i shprehur nga të dyja palët në Konferencën e Kryetarëve. Çdo gjë është përforcuar gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist, ku kryetari i PS-së, Edi Rama ka kërkuar nga komisioni i Ligjeve që të angazhohet plotësisht në trajtimin me seriozitet dhe paraqitjen e një plan-veprimi konkret për diskutimin e nismave ligjore me 3/5-at. Lidhur me këtë veprim, nënkryetari i komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj ka kërkuar të informohet grupi socialist, sesi është dhënë konsensusi dhe cilat janë rezultatet konkrete të tij. Burime nga mbledhja kanë bërë të ditur se kreu i grupit, Gramoz Ruçi dhe kryetari Edi Rama kanë sqaruar se me kundërshtarët politikë është rënë dakord që të nisë diskutimi i nismave në komisione, por futja e tyre në kalendarin e komisionit të Ligjeve është bërë sërish në mënyrë të njëanshme nga të djathtët. Pavarësisht kësaj duket se të dyja palët kanë rënë dakord për të nisur diskutimin e tyre, pasi kryetari i PS-së, Edi Rama ka sqaruar në këtë mbledhje se deputetët e majtë në komisionin e Ligjeve duhet të hartojnë një plan konkret veprimi për të vendosur data të caktuara për çdo nismë ligjore. Sipas tij, diskutimi duhet të nisë nga ato nisma të cilat janë më të thjeshta, për të mbërritur tek më të komplikuarat dhe që për t’u miratuar duhet të marrin një debat më të gjerë. Dhe e para në listë është vendosur pikërisht nisma për të ndryshuar Kodin Rrugor, për të cilin pas një rishikimi formal është rënë dakord parimisht që edhe të votohet pro kur të paraqitet për miratim në seancë, gjithmonë nëse pala tjetër do të pranojë ndonjë propozim shtesë që mund t’i bëhet nga opozita.
Reforma
Por çështja e ligjeve me 3/5-at është njëra prej pikave për të cilat dy partitë e mëdha kanë arritur një konsensus në parim. Kjo, pasi e njëjta gjë duket se ka ndodhur edhe për reformën zgjedhore. Ka qenë vetë i deleguari i PS-së, deputeti Damian Gjiknuri ai që ka raportuar në grup dje për arritjen e një mirëkuptimi me demokratët për këtë çështje dhe që së shpejti pritet të konkretizohet me një veprim konkret, me ngritjen e komisionit dhe nisjen e punës. Konsensusi është arritur me tërheqjen e socialistëve për t’iu drejtuar Komisionit të Venecias dhe ODIHR-it për çështjet për të cilat palët në komision nuk do bien dakord dhe për të pranuar që çdo mosmarrëveshje e tillë të mund të negociohet nga përfaqësuesit ndërkombëtarë të akredituar në vendin tonë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për reformën parlamentare, për të cilën palët kanë gjetur mirëkuptimin që ajo të fillojë javën tjetër me ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar, i cili të përshtatë rregulloren dhe ligjet e tjera që trajtojnë statusin e deputetit me rregulloren e Parlamentit Europian.
Rama: Të shqyrtojmë ligjet me
3/5-at, që t’i heqim justifikimin PD
Arritjen e një mirëkuptimi parimor me demokratët për disa nga pikat e paktit dhjetëpikësh, e ka lënë të kuptohet dje edhe kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama. Duke folur dje para deputetëve të grupit të tij parlamentar, Rama duke pranuar se rikthimi në komisione i të gjitha nismave me 3/5-at është bërë me pëlqimin e tij, ka kërkuar nga deputetët e vet të komisionit të Ligjeve që të përcaktojnë një plan të detajuar veprimi për shqyrtimin e tyre. “Për javën parlamentare që fillon, dua t’i propozoj komisionit tonë të ligjeve, sipas pikës përkatëse të Paktit tonë me dhjetë pika, një hap të ri për nxitjen e procesit legjislativ lidhur me projektet që kërkojnë 3/5-at e votave. Të dorëzojmë pa humbur asnjë minutë, në Kuvend, një axhendë të specifikuar pune për komisionin parlamentar të Ligjeve me një rend çështjesh e afatesh, ashtu siç e kemi propozuar në parim, por këtë herë në detaj. Për të mos i lënë më as edhe një mundësi palës tjetër që t’i ikë përgjegjësive të veta, për këtë aspekt të rëndësishëm të procesit të integrimit dhe t’i bishtnojë Paktit që ne kemi ofruar “Për Shqipërinë si gjithë Europa” dhe jo për një pazar me ta”, - tha Rama në fjalën e vet.