Rama hap partinë, “fton” të larguarit
Kreu socialist u ka bërë apel deputetëve që, paralelisht me diskutimin e programit të nisin dhe hapjen e partisë për të larguarit dhe qytetarët
Sukses! - Kështu e ka cilësuar kreu socialist Edi Rama Kongresin e së shtunës, ndërsa ka bërë dhe një herë apel për hapjen e forumeve të partisë për të gjithë të larguarit. Duke folur gjatë mbledhjes së djeshme të grupit parlamentar, Rama duke iu referuar pikërisht punimeve të Kongresit dhe miratimit prej tij të Programit politik, ka shpallur nismën për prezantimin e Programit në bazë.
Programi
Fjalën e tij para grupit parlamentar Rama e ka nisur pikërisht me dhënien e një vlerësimi maksimal për zhvillimin e punimeve të Kongresit. “Kongresi ishte një sukses. Njerëzit dëgjuan vizionin tonë për një rilindje shqiptare. Janë të panumërta komentet dhe postimet elektronike për programin e shpalosur. Ka entuziazëm, por ka krejt natyrshëm edhe dyshime në realizueshmërinë e angazhimeve të forta që Programi ynë përmban”, - tha Rama në fjalën e tij. Megjithatë, ai është përpjekur të qartësojë duke prezantuar në të njëjtën kohë nismën për paraqitjen e programit tek të gjithë socialistët, duke theksuar se ai nuk është një dokument përfundimtar. “Të jemi të qartë edhe njëherë: Programi i shpalosur në Kongres nuk është fjala jonë e fundit, po vetëm hapi ynë i parë në rrugën e re që u propozojmë shqiptarëve”, - tha Rama. Më tej lidhur me këtë çështje ai ka bërë të ditur se duke nisur nga sot, libri i Programit do t’u shpërndahet të gjitha organizatave socialiste, nga Bajram Curri deri në Konispol. “Të gjithë bashkë, nga unë e nga çdo deputet, do të nisim kontaktet intensive me partinë për të diskutuar programin. Këto kontakte do të shtohen javët e ardhshme dhe me përfshirjen e anëtarëve të rinj të Asamblesë Kombëtare në mbarë territorin”, - u shpreh Rama, ndërsa ka udhëzuar deputetët e vet që mbledhjet e organizatave për diskutimin e Programit të bëhen të hapura, ku të nxiten të gjithë drejtuesit e organizatave që të ftojnë në mbledhjet e tyre mbështetës të partisë dhe qytetarë të interesuar në çdo fshat dhe në çdo qendër votimi në qytet.
Hapja
Po ashtu si edhe në Kongres, Rama duket se është përqendruar tashmë tek ideja se për të ardhur në pushtet nuk mjafton vetëm një program politik, por krahas tij duhet edhe një bashkim me të gjithë ata elementë socialistë, që për një arsye apo tjetër janë larguar nga radhët e PS-së. Ndaj edhe gjatë mbledhjes së djeshme, Rama ka urdhëruar deputetët e vet që puna për diskutimin e programit të shkojë paralelisht me atë të hapjes së partisë. “Hapja e diskutimit për programin duhet të shkojë paralelisht me hapjen e partisë. “Po dhe Partia Socialiste duhet të bëhet shtëpia e edhe më shumë shqiptarëve. Të gjithë të larguarit për çfarëdo arsye, në çdo fshat e qendër votimi, duhet të ftohen të marrin pjesë në diskutimet e Programit në organizata. E po ashtu në këto diskutime duhet të ftohen edhe të gjithë ata mbështetës, simpatizantë, dashamirës, të reja dhe të rinj, njerëz të interesuar për t’u bërë pjesë e kësaj familjeje të madhe politike, po që rëndom pakkush kujtohet të shkojë t’iu trokasë në derë dhe shumë shpesh iu mbërrijnë fjalët e tepërta mes nesh”, - theksoi Rama. Gjithashtu, në këtë aspekt ai i ka vënë qëllim deputetëve dhe vetes që të nisë puna menjëherë për arritjen e objektivit të shtimit të anëtarësisë 30% në vitin 2012. “Programi ynë i ri duhet të bëhet pronë e sa më shumë shqiptarëve, duke i bërë ata pjesëmarrës në diskutimin për të dhe duke marrë prej tyre çdo vërejtje, sugjerim, ide që përkojnë me vizionin e socializmit tonë europian”, - tha Rama.