E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Nuk merrem me akuzat, do nxis dialogun deri në fund të mandatit

Presidenti i Republikës foli dje edhe për regjistrimin e popullsisë. “... Kam inkurajuar regjistrimin e popullsisë, sepse është një kërkesë, së pari, e nevojshme e kohës, patjetër edhe e institucioneve ku ne aderojmë, dhe duhet ditur për shumë arsye, për një mijë arsye, që qytetarët duhet të dinë të regjistrohen.”

GJIROKASTËR Vizita e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, dje në Gjirokastër dhe mesazhi që ai përcolli për regjistrimin e popullsisë, ka shuar çdo hamendësim se është ai që qëndron prapa Aleancës “Kuq e Zi”. Ndryshe nga qëndrimi i deritanishëm i kësaj lëvizjeje, Presidenti i Republikës ka deklaruar dje se regjistrimi i popullsisë është një proces i rëndësishëm për shqiptarët. Edhe pse ky proces ka përfunduar tashmë, Topi u shpreh se pret rezultatet që do të publikojë INSTAT-i. “Në një vend demokratik është shumë e rëndësishme që të vlerësohen në mënyrë specifike të gjitha institucionet. Unë, si Kryetar i Shtetit, e kam inkurajuar regjistrimin e popullsisë, sepse është një kërkesë, së pari, e nevojshme e kohës, patjetër edhe e institucioneve ku ne aderojmë, dhe duhet ditur për shumë arsye, për një mijë arsye, që qytetarët duhet të dinë të regjistrohen, të ketë sensus. Patjetër, ky proces mendohet që të jetë realizuar në standardet e kërkuara. Por janë institucionet specifike që do të thonë fjalën e tyre në momentin kur ata do të përpunojnë, do të elaborojnë të dhënat e tyre natyrisht. E rëndësishme është të japim këtë vlerësim për procesin dhe të presim prononcimin e institucioneve të specializuara për këtë punë”, - tha dje Topi për mediat, gjatë vizitës së zhvilluar në Gjirokastër. Presidenti i Republikës ka vendosur në të njëjtën kohë që të shmangë reagimet politike ndaj ish-kolegëve të tij demokratë, duke theksuar se ai do të angazhohet deri ditën e fundit si President i Republikës për të promovuar dialog dhe bashkëpunim. “E rëndësishme është të angazhohem deri në ditën e fundit si President i Republikës, si Kryetar Shteti, për të promovuar dialog, harmoni, bashkëpunim shumë të mirë midis pushtetit vendor dhe pushtetit qendror, për të mirën e qytetarëve. E kemi thënë, qytetari është në qendër të vëmendjes, qoftë si institucion, por qoftë edhe si formim. Unë dëshiroj që qytetari të jetë i pari kudo, sepse është qytetari që, kur vjen momenti pastaj për të zgjedhur, është ai që ne i dedikohemi shumë. Pra, dëshiroj që mos ta përziej me asnjë lloj politike që nuk i takon misionit tim, si President”, - tha Topi. Edhe në vizitën tjetër të zhvilluar në Komunën e Vriserasë, në Dropullin e Sipërm, kreu i shtetit ka dashur të përcjellë të njëjtin mesazh, atë të dialogut dhe mirëkuptimit, sepse ku ka dialog, sipas tij, institucionet funksionojnë më mirë. “...Aty ku ka dialog dhe harmoni midis njerëzve patjetër që institucionet funksionojnë më mirë dhe vendimmarrjet janë më të mira dhe bëjmë gjëra të mira për komunitetin. Ju jeni të zgjedhur nga komuniteti për të drejtuar Komunën dhe patjetër që të drejtosh një komunë, sikurse një bashki, është një nder, por është dhe përgjegjësi. Këtë lloj përgjegjësie patjetër që ju e ndani me çdo qytetar”, - tha Topi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›