“Realizimi i reformës elektorale, kontribut thelbësor për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve politike në Shqipëri”
Reporterët e Komitetit të Ministrave për demokraci, vlerësojnë rekomandimet e Asamblesë Parlamentare
Grupi i reporterëve të Komitetit të Ministrave për demokraci GR-DEM, duke shqyrtuar me kujdes rekomandimet e Asamblesë Parlamentare, "mirëpret kthimin e opozitës shqiptare në Parlament dhe nënvizon rëndësinë e një pjesëmarrje të vazhdueshme dhe të vërtete në punën e parlamentit", thuhet në deklaratën nga Strasburgu,"Funksionimi i institucioneve demokratike në Shqipëri Rekomandime të Asamblesë Parlamentare".
Në këtë drejtim, Komiteti i Ministrave pranon dialogun e përtërirë mes forcave politike në vijim të përpjekjeve lehtësuese nga Asambleja Parlamentare dhe BE-ja.
Komiteti inkurajon të gjitha partitë të bashkëpunojnë me qëllim realizimin e reformës elektorale gjë që përbën një kontribut thelbësor drejt zgjidhjes së mosmarrëveshjeve politike mes tyre. Sipas burimeve të mësipërme, Komiteti i Ministrave do të vazhdojë të ndjekë nga afër zhvillimet në Shqipëri dhe do të miratoje një përgjigje përfundimtare në një nga mbledhjet pasuese.