E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grupi e përjashton, Islami: Veprim stalinist, Rama do pushtet personal

TIRANË- Grupi parlamentar i PS-së vendosi çregjistrimin e deputetit Kastriot Islami. 4 deputetët Arben Malaj, Tom Doshi, Azir Gashi dhe Marko Bello votuan kundër vendimit të grupit, ndërsa 2 të tjerë abstenuan.  Vendimi u mor mesditën e sotme në një mbledhje me dyer të mbyllura. Kryesia ia delegoi ditën e premte vendimin grupit parlamentar.

Kryetari i grupit Gramoz Ruçi në mbledhjen e kryesisë, u ngarkua që të thërriste deputetin Islami për të sqaruar mungesën e tij, në votimin për kreun e KLSH-së, Bujar Leskaj, në seancë plenare.

Kastriot Islami para mbledhjes së grupit parlamentar socialist u njoftua se mbledhja do të mbahet me dyer të mbyllura. Ky i fundit, i cili priti përreth 30 minuta në ambientet e selisë rozë, u largua nga selia e PS-së pas komunikimit të vendimit se mediat nuk do pranoheshin në mbledhje.

“Sapo me vuri ne dijeni Taulant Balla që është diskutuar se kjo mbledhje do bëhet me dyer të mbyllura. Kjo është ngjarje speciale, ndodhi e radhë e politikës shqiptare dhe unë nuk mund ta shpenzoj qëndrimin tim në një sallë të mbyllur. Do ju ftoja në orën 14:30 të i’u bëj publike qëndrimin tim. Pasi nuk isha përgatitur për këtë opsion. Kuvendi është vendi i dytë ku unë mund të shpreh vendimin tim”,- theksoi Islami.

ISLAMI: RAMA MË DËBOI, DO PUSHTET PERSONAL
Ora 15:30- Kastriot Islami deklaron për mediat se përjashtimi i tij nga Partia Socialiste është një veprim i paprecedentë që u mor në mungesë të tij.
“Sic jeni në dijeni isha përgatitur për të marrë pjesë në mbledhjen e grupit parlamentar. Sa i përket ditës së sotme kërkesa ime ishe e qartë, që seanca të zhvillohej në praninë e medias meqë ngjarje të tilla janë të rralla, por mbledhja e sotme u zhvillua me dyer të mbyllura, nuk mu dha kohë për autokritikë sic ndodhi në vitin ‘81. Do e konsideroja një veprim të paprecedentë, në mungesë të personit. Vendim me dyer të mbyllura, veprim autoritar”, tha Islami.

Islami akuzon drejtpërdrejt liderin e PS-së Edi Rama, si personi që e dëboi nga partia, me qëllim për të forcuar pushtetin personal, sic tha Islami.
“Kjo që ndodhi sot nuk është cështje e përballjes time me Edi Ramën as cështje e stabilizimit të grupit, as e largimit dhe as e cregjistrimit që nuk do ndodhte po të vinte Rama. Ky është ballafaqimi i dy filozofive. Kjo është përballje e një projekti fitues i së majtës së bashkuar. Me projektin Rama tentohet fuqizimi i autoritetit personal në krye të PS. Sot përballja është me forcimin e pozitave të Ramës, projekt që tenton të ndërtojë Rama që nga 2005”, tha ai.

Islami deklaroi më tej se projekti që ai mbështet është kundër Ramës por jo kundër kolegëve të tij socialistë. Islami shpjegoi më pas të gjitha pikat e kundërshtimit të politikës së Ramës.
“Ato që po ju them sot nuk janë kundër kolegëve të mi. Nuk e them për oportunizëm por për të qenë i sinqertë. Disa kolegë ndihen të sigurtë, disa të pasigurtë. Projekti përballë projektit Rama i përfshin të gjithë socialistët kudo që janë. Gjatë dy vjetëve kam mbështetur projetimin e së majtës fituese pa asnjë sharje, megjithëse një sërë shpifjesh janë adresuar ndaj meje. Unë për shkak të ekperiencës time nuk mund të isha dakort me bojkotin e parë. Edhe ndërkombëtarët ishin kundër. Dihen qëndrimet e BE dhe SHBA ndaj bojkotit. Po të ishte reflektuar nuk do të ndodhte ajo që ndodhi. Kjo është një nga arsyet pse u kërkua largimi im. Këtë qendrim e kishin 5 veta jo vetëm unë. Kam qenë kundër grevës së urisë që të mos përdoret për qëllime politke, dhe ndihem mirë që kam qenë krah Blushit. Unë kam respektuar të gjithë sakrificat e kolegëve por nuk mundem dhe nuk do jem dakord me një forcë politike që ka 66 deputetë për të marrë vendim politik për tu futur në grevë... Greva u mbyll me një darkë në Strasburg. Ishte hera e parë që ata ballafaqoheshin. Kjo është arsye tjetër që u kërkua largimi im. 21 janari është një moment tjetër... Marrëveshjet e kushtëzuara me Kuvendin ishte një pikë tjetër që ka prishur imazhin e Shqipërisë...Sa i përket marrjes së statutusit kandiat, mos votimi i ligjeve pa harruar mangësitë e qeverisë e kthyen PS në bashkëfajtore të marrjes së statusit. Unë sëbashku me Harasanin vajtëm në Kuvend për të dhënë mesazhin se opozita nuk është kundër integrimit. Gjërat do ishin kundër po të na ndiqnin. Kjo është arsyeja tjetër pse u kërkua largimi im”, sqaroi Islami.

Islami deklaroi më tej për mediat se largimi i tij nuk lidhet as me shkeljen e rregullores e as me të statutit.
(el.me/ma.ar/BalkanWeb) Lidhje te tjera Balla: Islami, në drejtim të kundërt politik me PS Propozimi për përjashtimin nga grupi parlamentar Islami, Batutat Nano-Berisha VIDEO: Grupi PS përjashton Islamin

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›