“Grupi i Gjilanit”, AAK: Terrorizim i shqiptarëve të Preshevës

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka shprehur indinjatë të thellë ndaj vendimit të Gjykatës Supreme të Serbisë, sipas të cilit u dënuan me 116 vjet burg 11 shqiptarë të pafajshëm të Luginës së Preshevës, me pretekstin e shpifur “për krime të luftës”.
“Ky është një akt i radhës të qeverisë së Beogradit, në kuadër të trysnisë së vazhdueshme dhe të terrorit sistematik që ajo e ka ushtruar dhe vazhdon ta ushtrojë kundër popullsisë shqiptare që jeton në trojet e veta në Luginë të Preshevës. AAK e konsideron këtë vendim krejtësisht politik, të padrejtë dhe në funksion të destabilizimit dhe ngritjes së tensioneve, aq më shumë tash në kohën kur flitet për nisjen e bisedimeve midis dy shteteve. AAK fton mekanizmat kompetentë ndërkombëtarë që të ndërhyjnë sa më parë në shfuqizimin e këtij vendimi dhe në lirimin e 11 shqiptarëve të pafajshëm, në ndaljen e dhunës dhe të trysnisë shtetërore të Beogradit mbi shqiptarët e asaj ane, të cilët edhe sot po bien viktimë e politikës trashëguese të regjimit serb të shekullit të kaluar”, thuhet në reagimin e AAK-së.
Ndërkaq, shoqata “Vatra” nga Gjilani ka kërkuar që shqiptarët e dënuar në Beograd të lirohen për shkak të pafajësisë së tyre.
“Edhe bashkësia ndërkombëtare duhet të kërkojë me ngulm nga Serbia e Daçiçit dhe Nikoliçit që të lirohen shqiptarët e pafajshëm, duke bërë presion e duke i treguar se kjo qeveri e re nuk duhet të vazhdojë rrugën e Millosheviqit, sepse i bën dëm vetë Serbisë, popullit serb, më shumë se gjithë rajonit e shqiptarëve, ashtu siç mendojnë Daçiç e Nikoliç”, thuhet në reagimin e “Vatrës”.
Akuzat i kanë vlerësuar si montime të pushteti serb, ndërkaq zvarritja dhe rrëzimi i vendimit të shkallës së parë, sipas “Vatrës”, tregon se gjyqësori serb nuk kishte argumente për dënimet e shqiptuara sot.