Merkel mbështet integrimin e Ballkanit Perëndimor, por pas krizës

Kancelarja gjermane Angela Merkel sot në Berlin porositi se në afat të gjatë e mbështet inkuadrimin e të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE, por theksoi se Unioni për momentin ndodhet në krizë. Pas takimit me kryeministrin kroat, Zoran Millanoviç, ajo deklaroi se shtetet e Ballkanit Perëndimor përjetuan luftë dhe se inkuadrimi drejt BE-së mund t`ju ndihmojë për pajtim.
"Sllovenia tani më është në BE, ndërsa tani hyn edhe Kroacia", tha Merkel.
Siç njoftojnë mediat kroate, Merkel dhe Millanoviç, për të cilin është vizita e parë zyrtare në Gjermani, më së shumti kanë biseduar për marrëdhëniet e dy vendeve dhe për bashkëpunimin ekonomik, situatën në BE dhe inkuadrimin kroat në BE.
Duke vlerësuar se marrëdhëniet midis dy vendeve janë të shkëlqyera, Merkel ka shtuar se Kroacia në shumë reforma është në rrugën e drejtë.
"Dëshirojmë që Kroacia më 1 korrik të vitit 2013 të bëhet anëtarja e re e 28-të e BE-së. E presim raportin për monitorimin dhe vlerësojmë se Kroacia në shumë fusha është në rrugë të drejtë", tha kancelarja.
Millanoviç theksoi se për vendin e tij është shumë e rëndësishme të tërheq investitorë të huaj para së gjithash gjermanë.Në 20 vitet e kaluara në Kroaci është lënë anash prodhimi industrial, ndërsa në rimëkëmbjen e tij do të ndihmonte përvoja dhe njohuritë gjermane, deklaroi Millanoviç.