Grupi i Kontaktit kërkon largimin e Gadafit
Grupi i Kontaktit për Libinë tha se Moamer Gadafi duhet të largohet së shpejti, dhe se rebelët që luftojnë kundër tij duhet të pranojnë mbështetje materiale.
Grupi mbajti sot takimin e parë në Doha, nën kryesimin e përbashkët të vendit mikpritës, Katarit dhe Britanisë, si dhe në praninë e kreut të OKB-së, Ban Ki-mun.
Deklarata përfundimtare pas takimit thotë se “Gadafi dhe regjimi i tij kanë humbur gjithë legjitimitetin”, dhe libianët duhet të lejohen “ta përcaktojnë vetë të ardhmen e tyre”.
Deklarata poashtu thotë se grupi është dakorduar që të krijojë një “mekanizëm të përkohshëm financiar” për t`i ndihmuar rebelët.
Gjatë bisedimeve të sotme, përfaqësuesit e rebelëve i bënë thirrje NATO-s që t`i shtojë sulmet ajrore ndaj tankeve dhe raketave të Gadafit.
Sot, kryeministri britanik Dejvid Kamerun udhëton në Paris për bisedime me presidentin Nikola Sarkozi.
Të dy vendet kërkojnë nga NATO-ja t`i shtojë sulmet ajrore që t`u ndihmojë rebelëve në përballjen me sulmet e forcave të Gadafit.