Sekuestrohen 7 armë gjahu, ndalohen 5 vetë
Operacioni/ Policia e Durrësit ka vënë në pranga 5 shtetas të cilëve u janë gjetur armë, municione e barut në makinë e në banesa
DURRËS - Pas një aksioni dyditor policia e Durrësit ka ndaluar pesë vetë të dyshuar se tregtonin armë, ndërkohë që ka sekuestruar një arsenal armësh gjahu dhe municionesh të kontrabanduara. Operacioni i koduar "Vazhdimësia", sipas burimeve, ka vijuar ditën e martë dhe të mërkurë.
Pas kontrollit të disa mjeteve dhe banesave të të dyshuarve, në pranga kanë përfunduar pesë vetë, mes të cilëve dy janë babë e bir. Mësohet se janë ndaluar: Besnik Kryemadhi, 23 vjeç, Enver Voka, 21 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje, Xhelil Sokoli, 61 vjeç dhe djali i tij Bajram Sokoli, 20 vjeç.
Të katër këta persona akuzohen për "mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake". Ndërkohë, në pranga ka përfunduar edhe Drilon Pjetri, 21 vjeç, i cili akuzohet për "moskallëzim krimi".
Arrestimi
Arrestimi, sipas burimeve konfidenciale, është bërë në dy faza dhe është zhvilluar njëherësh në mjetet që zotëronin personat e ndaluar, si dhe në banesat e tyre. Po kështu grupet janë ndarë në dy pjesë, në Durrës dhe në fshatin Rinia.
Natën e parë janë ndaluar Besnik Kryemadhi në lagjen e Shkozetit, Enver Voka në fshatin Rinia, si dhe Drilon Pjetri për moskallëzim krimi. Armët dhe municionet u janë gjetur fillimisht në mjetet që kishin dhe më pas në banesa të fshehura dhe të paketuara.
Pas një hetimi intensiv dhe dyshimeve që kishin, është ushtruar kontroll edhe tek banesa e Xhelil Sokolit dhe më pas ai është ndaluar bashkë me të birin 20-vjeçar.
Policia
Policia ka konfirmuar se ndalimi i këtyre shtetasve u bë për arsye se më datë 29.06.2010 iu gjetën e bllokuan në cilësinë e provës materiale në banesa e automjetet e tyre armët dhe municionet e mëposhtme: 1 pistoletë "Zastava" e kalibrit 6,35 mm; 5 fishekë të të njëjtit kalibër; 7 armë gjahu të reja të markës "Churchill" të kalibrit 12 mm; 270 fishekë të kalibrit 12 mm; 1 qese me 12 kg barut.
Sipas të dhënave të policisë, nga struktura për hetimin e krimeve vazhdon puna për përcaktimin e origjinës dhe të destinacionit të këtyre armëve dhe municioneve. Materialet proceduriale për veprat penale të mësipërme iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.