Grupi i PS: Nga e hëna në Kuvend për mandatet

Kryesia e PS
Kryesocialisti mbledh Kryesinë dhe drejtuesit e Grupit Parlamentar.
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste do të nisë një betejë politike në Kuvend dhe jashtë tij për mandatin e deputetes Rudina Seseri, por dhe tri mandatet e gjyqtarëve që mbahen ende në Kuvend. Pas shumë diskutimesh në Kryesinë e Grupit Parlamentar socialist paraditen e djeshme, me reagimit juridik dhe atij politik, PS do të angazhohet në një aksion politik, detajet e të cilit do të vendosen ditën e martë në mbledhjen e Grupit Parlamentar. Por ajo që u tha dje përmes burimeve nga brenda mbledhjes, është se deputetët socialistë do ti përqendrojnë të gjitha akuzat e tyre ndaj kryetares së Parlamentit, e cila, sipas tyre, ka shkelur Rregulloren e Parlamentit dhe po e përdor Parlamentin si një institucion privat. Kuvendi i Shqipërisë është në një krizë të thellë! Prej disa muajsh Jozefina Topalli abuzon me pushtetin kushtetues kur: mban peng një mandat të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë që populli ia ka dhënë Partisë Socialiste; mban peng tri mandate të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, të konsumuara, por ende funksionale vetëm me vullnetin politik dhe antikushtetues të Jozefina Topallit; mban peng një mandat të anëtarit të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë duke nxjerrë jashtë afateve kushtetuese shqyrtimin e dekretit të Presidentit të Republikës që plotëson vendin vakant, shkruan nënkryetari i Grupit Parlamentar, Erjon Braçe në profilin e tij në Facebook për shqetësimin që PS ka për drejtimin e Kuvendit. Me sa duket, e gjithë vëmendja e Grupit Parlamentar socialist do të fokusohet te katër mandatet që mbeten ende për tu zëvendësuar nga Parlamenti i Shqipërisë.
Kryesia
Dje në mesditë, kreu socialist mblodhi në një takim konsultativ anëtarët e Kryesisë. Sekretari për Rininë dhe Emigracionin, Erion Veliaj, prezantoi një projekt të ri për organizimin e të gjithë procesit që do të finalizohej me zgjedhjen e drejtuesit të FRESSH-it. Projekti i Veliajt kërkonte shtyrje të datës së Kongresit Kombëtar të Forumit Rinor, i parashikuar të mblidhej më 30 prill për në fund të qershorit. Me një projekt të huazuar amerikan, Veliaj parashikonte të organizonte 36 konventa lokale në të gjitha rrethet e vendit ku kandidatët në garë të prezantonin platformat e tyre dhe të merrnin një vlerësim paraprak rreth këtij prezantimi. E gjithë kjo punë kërkonte shtyrjen e kongresit të vendosur më parë nga Asambleja Kombëtare, por dhe ndryshimin e statutit për këtë risi. Pjesa më e madhe e anëtarëve të Kryesisë, në mendimet e tyre kanë shprehur shqetësimin e respektimit të statutit, për ta zhvilluar kongresin në datën e caktuar dhe sipas traditës aktuale të deritanishme. Por ka pasur dhe propozime që bashkë me asambletë lokale të FRESSH-it, të bëhet dhe prezantimi i platformave të kandidatëve, të cilët do të votohen në fund në Kongresin Kombëtar që do të mbahet në Tiranë. Pritet që ky propozim të jetë pjesë e diskutimit të sotëm në Asamblenë Kombëtare.
Luan Rama: Humbësi Edi Rama do të mbajë humbëse dhe PS-në.
Sekretari i Përgjithshëm i LSI i përgjigjet Edi RamësLuan Rama
Në një takim me strukturat e LSI-së të qytetit të Tiranës, sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, i është përgjigjur edhe qëndrimit të kryetarit të PS-së, Edi Rama, i cili, i pyetur në një intervistë për mundësinë e koalicionit të PS me LSI-në, është përgjigjur se PS do të fitojë e vetme 71 deputetë në zgjedhjet e ardhshme. Në këtë kontekst, sekretari i Përgjithshëm i LSI-së i është përgjigjur kreut të PS-së duke thënë se z. Rama vazhdon të shohë ëndrra me sy hapur, po ky nuk është problemi i LSI-së. Edhe në politikë ka vend për ëndërrimtarë të tillë, që me ëndrrat e tyre kompensojnë realitetet e trishta të humbjeve të njëpasnjëshme. Destruktiviteti i Edi Ramës është ndëshkuar nga vota e qytetarëve, u shpreh sekretari i Përgjithshëm i LSI-së. Sipas tij, LSI nuk e ka mendjen se çthotë Edi Rama. Për Luan Ramën vëmendja dhe energjitë e LSI-së janë të përqendruara te integrimi europian.
ARISTIR LUMEZI
