Çamëria, reagon PDIU: Haxhinasto përvetësoi tezat greke

Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi
Partia për Drejtësi, Integrim e Unitet reagon pas deklaratës së ministrit të Jashtëm se termi Çamëri nuk ekziston.
Reagimi i partisë së çamëve: Ministri, më mirë të mos flasë.
Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet reagoi dje ndaj deklaratës së ministrit të Jashtëm, Edmond Haxhinasto, sipas të cilit, fjala Çamëri nuk ekziston në listën e fjalëve të territorit grek të depozituar në OKB. Përmes një njoftimi për shtyp, PDIU-ja solli një sërë argumentesh se kjo fjalë ka ekzistuar më parë, ndërsa kreut të Diplomacisë shqiptare i sugjeroi të mos flasë nëse nuk e njeh historinë dhe gjeografinë. PDIU i ka dhënë përgjigje për të njëjtat argumente edhe zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme greke, z. Dhelavekuas dhe Vangjel Dules, dhe tani ndiejmë keqardhje që të njëjtat argumente duhet ti japim edhe për zëvendëskryeministrin e ministrin e Jashtëm të shtetit shqiptar, Haxhi-Nastos. Këto argumente për ne janë të mjaftueshme. Kush nuk njeh historinë, gjeografinë dhe parimet bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare, do të ishte mirë që të mos fliste. Beteja jonë për Çamërinë nuk ndalet këtu, thuhet në deklaratën e PDIU-së. Sipas partisë së komunitetit çam, shteti shqiptar e ka detyrim kushtetues mbrojtjen e të drejtave të bashkëkombësve tanë dhe sidomos të qytetarëve të vet. Nuk është një dëshirë, por një detyrim kushtetues, i paprekshëm. Nëse shteti shqiptar nuk përkrah të drejtat e një komuniteti të diskriminuar, që i janë shkelur dhe i shkelen të drejtat e njeriut vetëm dhe vetëm pse janë shqiptarë që vendimet e kobshme të vitit 1913 i lanë jashtë atdheut, atëherë ne, përfaqësuesit legjitimë të këtij komuniteti, shoqata Çamëria, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, së bashku me çdo shqiptar që ka në dejet e tij atdhedashurinë dhe patriotizmin, do të përvijojmë akoma edhe të vetëm betejën tonë institucionale për të drejtat e mohuara. Duke iu referuar historisë, PDIU thekson se emërtimi Çamëri daton që nga shekulli XIV pas riemërtimit të saj nga termi Vageneti, që ishte pasardhës i termit Thesproti. Toponimi Çamëri nuk është i barabartë me nënndarjen administrative të Thesprotisë, pasi treva e Çamërisë përmbledh qarkun e Thesprotisë, qarkun e Prevezës në shtetin grek dhe bashkitë e komunat Konispol, Markat dhe Xarrë, në shtetin shqiptar. Është e papranueshme që njeriu që duhet të protestonte dhe të hidhte poshtë me argumente historike e të së drejtës ndërkombëtare këtë pretendim absurd të palës greke, ministri ynë i Jashtëm i bën tezat e Greqisë të vetat. Shteti shqiptar duhet ta kundërshtojë këtë qëndrim absurd, përfundon reagimi i çamëve.
Reagimi
At Nikolla Marku, famullitari i Kishës Ortodokse të Pavarur Shqiptare, deklaroi dje nga Elbasani se ditën e Pashkëve do të bëhet një lutje e veçantë, pasi përkon me 100-vjetorin e pavarësisë. Në këtë festë Pashkësh do të lutemi që Zoti të dëgjojë lutjen e popullit shqiptar, popull apo komb që është gjakosur dhe copëtuar e shfrytëzuar ndër shekuj. Ne do të lutemi që pavarësinë e Kosovës ta njohin sa më shumë shtete. Ne do të lutemi që shqiptarëve etnikë në Maqedoni tu respektohen të drejtat e tyre. Ne do të lutemi që shqiptarët e krahinës Çamëri të kthehen në shtëpitë e tyre në Çamëri. Ne do të lutemi që shqiptarët etnikë të Malit Zi të kenë sa më shumë të drejta, u shpreh Marku.
Dule: Çamëria nuk ekziston
Pak ditë më parë, edhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, deklaroi se Çamëria nuk ekziston. Nuk ka pasur në kohërat e demokracisë në shtetin grek asnjë krahinë me emrin Çamëri, asnjëherë, me përjashtim të periudhave kur ka qenë e pushtuar. Rrjedhimisht, askush nuk mund ti imponojë shtetit grek toponimet e veta. Është e papranueshme kush e ka bërë atë gafë në sistemin e lëshimit të dokumenteve të shtetit shqiptar, duke krijuar këtë incident që është në dëm të vendit tonë dhe nuk na nderon, tha Dule.
Haxhinasto: Çamëria jo në listën e emrave të OKB
Edmond Haxhinasto
Zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, deklaroi dy ditë më parë në një intervistë televizive, se në listën e emrave të territoreve që Greqia ka dorëzuar në OKB, nuk përmendet emri Çamëri. Në këtë listë, të themi që tashmë ka marrë edhe fuqi ligjore, pasi ka mbi 10 vite që është paraqitur në Kombet e Bashkuara, fjala Çamëri nuk ekziston, ekzistojnë fjalë të tjera për atë territor, por fjala Çamëri nuk ekziston dhe ky është një detyrim që ne ta trajtojmë këtë çështje dhe do ta trajtojmë në rrugë dypalëshe me palën greke, sigurisht duke treguar fleksibilitetin përkatës, është shprehur Haxhinasto. Sipas tij, ky është një nga problemet, do të thosha, të cilin kemi predispozitën ta zgjidhim dhe jemi në ndjekje të zgjidhjes me palën greke. Është lajm shumë i mirë ky që ju thoni, është statistikë zyrtare, pa diskutim, pasi ne e trajtojmë sa herë që ka një fenomen të caktuar në problematikën e dokumenteve dhe sigurisht që gjejmë zgjidhje.
