E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhafaj: Me këto kushte, PS nuk duhet të hyjë në zgjedhje

“Pjesëmarrja në zgjedhje kërkon në mënyrë të pashmangshme realizimin e disa kushteve, ku më kryesori sipas tij është ai i balancimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”

Megjithëse u regjistrua si subjekt garues për zgjedhjet e ardhshme vendore, në Partinë Socialiste nuk mungojnë zërat skeptikë, lidhur me këtë veprim që ndërmori kjo forcë politike, vetëm pak ditë më parë. Madje ekzistojnë edhe për qëndrime radikale, siç është ai i bojkotit të këtyre zgjedhjeve, në rast se mazhoranca nuk do të plotësojë kushtet për të pasur garanci, se procesi do të jetë i ndershëm. Dhe këtë qëndrim e mbron dhe një nga figurat qendrore të kësaj force, siç është sekretari për çështjet ligjore, Fatmir Xhafaj, i cili, duke analizuar situatën parazgjedhore dhe klimën e përgjithshme që ekziston, ka theksuar se PS do ishte më mirë të mos futet në këtë proces zgjedhor. Megjithatë, ky duket se është qëndrim i tij personal, pasi Xhafaj në një intervistë televizive për “Inside” në “Vizion Plus”, bën të qartë se nuk kemi të bëjmë ende me një qëndrim të strukturave partiake, përsa i përket alternativës së mospjesëmarrjes në zgjedhje. “Në rast të kundërt nuk ka arsye, kjo në vlerësimin tim personal, sepse i ngelet vendimmarrjes politike të PS-së për të vendosur, për të hyrë dhe për të zhvilluar një proces elektoral”, - shprehet Fatmir Xhafaj. Më tej, ai bën të qartë se pjesëmarrja në zgjedhje kërkon në mënyrë të pashmangshme realizimin e disa kushteve, ku më kryesori, sipas tij, është ai i balancimit të Komisionit Qendror të Zgjedhje. Për këtë, Xhafaj jep dhe një formulë konkrete, ku opozita dhe mazhoranca të kenë nga 3 anëtarë, ndërsa anëtari i shtatë të zgjidhet me konsensusin e të dyja palëve. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të balancohet sipas kësaj mënyre: “dy anëtarë PS, dy PD, një LSI, një PBDNJ dhe i shtati i zgjedhur me mirëkuptimin e palëve”, - tha më tej Xhafaj, ndërkohë që e konsideron si fatale dhe të paravendosur rezultatin e zgjedhjeve me kryetar të KQZ-së, Arben Ristanin. Xhafaj ka sjellë në vëmendje dhe indicio, që vërtetojnë dyshimet e opozitës për një proces zgjedhor të pandershëm. Kështu, ai ka sjellë si provë problematikën që ka lindur me listat e zgjedhësve në një sërë zonash, si dhe problemin e shfaqur me fotokopjimin e materialeve zgjedhore të zgjedhjeve të shkuara parlamentare në bodrumet e KQZ-së. “PD po përgatitet për të zhvilluar një farsë elektorale përmes listës së zgjedhësve, identifikimit të zgjedhësve”, - u shpreh Xahafaj. Ai është ndalur edhe tek problemi i KZAZ-ve, duke vlerësuar se vendimmarrja e KQZ-së, për plotësimin e vendeve vakante, është në kundërshtim me ligjin zgjedhor. “Kodi Zgjedhor përcakton se mund të zëvendësohen komisionerët nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, vetëm ditën e zgjedhjeve”, - u theksoi sekretari socialist. Të gjitha këto elementë e bindin atë se mosplotësimi i kushteve të vendosura nga opozita duhet të sjellë dhe bojkotin e zgjedhjeve. Xhafaj nuk është i vetmi zë në të majtë, që mbështet idenë e mospjesëmarrjes në zgjedhje, pasi vetëm një ditë më parë, gjatë një interviste për “MAPO”, kreu socialdemokrat, Gjinushi u shpreh gjithashtu për bojkot të zgjedhjeve vendore, nëse nuk plotësohen kushtet minimale për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›