Grupi i PS, Rama: Zgjidhje brenda 2 javësh

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste po zhvillon mbledhjen për të marrë vendimin për pjesëmarrjen në Kuvend. Të pranishëm në mbledhje janë aleatë dhe grevistët e urisë së PS-së.
Kryesocialisti Edi Rama deklaroi në sajë të sakrificës së grevës ra tabuja e kutive të mbyllura dhe "de facto" kutitë u hapën.
Rama pohoi se tryeza e negociatave e nisur në Strasburg, do të vijojë gjatë kësaj jave në Tiranë, por duhet zgjidhja brenda 2 javësh, ose pasojat do jenë të rënda. "Ultimatumi për zgjidhjen brenda 2 javësh duhet respketuar sepse thellimi i kësaj krize do kishte pasoja të rënda në axhendën evropiane dhe zhvillimin e vendit. Ndaj duhet një zgjidhje brenda 2 javëve, edhe që sot, pa hequr dorë nga transparenca", tha ai.
Rama pohoi se humbja e shansit për zgjidhje do rëndonte pasojat e krizës që i ka rrënjët te kutitë. "Hapja e kutive nuk duhet diskutuar më. Zgjidhja është te mosdiskutimi i kësaj pike. Hetimi i plotë i zgjedhjeve nuk duhen vonuar më shumë se 2 javë", saktësoi ai.
Duke iu referuar kryeministrit Berisha ai tha se është "një kundërshtar i mbrapshtë që do përpiqet të evitojë transparencën e zgjedhjeve".
Kreu i PS-së falenderoi të gjithë grevistët për sakrificën e tyre si dhe aleatët për mbështetjen. "PS dhe opozita nuk është njësoj. Falë grevës ra tabuja e kutive të mbyllura. Kutitë de facto janë hapur", u shpreh ai.
Kreu i PS-së falenderoi në veçanti këngëtaren Elsa Lila për hyrjen e saj në grevë. Rama theksoi se gjatë grevës opozita u përball me shpifje e tallje. Rama tha se rruga për Shqipërinë e njerëzve, sa ka nisur të ndërtohet.
Deputeti Fatmir Xhafaj tha se protesta e opozitës kreu një mision të pamundur. "Ne fituam mbi veten, mbi cinikët, duke realizuar protestën e parë të këtij lloji", tha ai. Deputeti ka shprehur mirënjohje për mbështëetësit që hynë në grevë, shprehu mirënjohje për aleatët e PS-së, për mjekët si dhe për mediat.
Sipas Xhafajt, shqiptarët janë të uritur për transparencë.
Deputetja Ermonela Felaj deklaroi se sakrifica e grevistëve u shpërblye denjësisht.
Deputeti Gjovalin Kadeli falenderoi të gjithë grevistët dhe veçanërisht ekipin mjekësor. Arben Ahmetaj vlerësoi deputetët e PS-së, grevistët, aleatët dhe të gjithë ata që u bënë pjesë e grevës. "Ajo që arritëm së bashku e bëri me vlerë sakrificën tonë të përbashkët. Sot shqiptarët e ndërkombëtarët na japin të drejtë në atë që kërkojmë. Sot jemi pranë transparencës", tha ai.
Kreu i G99, Erjon Veliaj tha se opozita e fitoi betejën.