E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lutaj: Berisha kërkon asgjësimin e fletëve të votimit

Deputeti i PS-së, Pirro Lutaj tha se opozita nuk heq dorë nga thelbi i transparencës, e cila sipas të gjitha akteve ligjore e nënligjore, nuk cënon vendimet e gjykatave.

TIRANË- Deputeti i Partisë Socialiste Pirro Lutaj në një intervistë për gazetën "Shekulli" thekson se Kryeministri Berisha, pavarësisht lëshimeve të fundit që ka bërë ndaj opozitës, po tenton që të djegë fletët e votimit.


Kjo ka qenë edhe pika kyçe sipas tij, që ka krijuar pengesa në gjetjen e një kompromisi në tryezën e Strasburgut midis liderëve politikë. Por pavarësisht qëndrimit të mazhorancës, sipas deputetit Lutaj, opozita nuk do të lëshojë nga transparenca e plotë e zgjedhjeve të 28 qershorit.


Z. Lutaj si e konsideroni mosarritjen e një kompromisi politik në Strasburg midis liderëve shqiptarë Rama e Berisha në prani të ndërkombëtarëve?


Del qartë që kemi të bëjmë me një këmbëngulje absurde të Kryeministrit të Shqipërisë, i cili si duket nuk ka hequr dorë nga këmbëngulja e tij absurde. Është ai personi që nuk ka lëshuar dhe toleruar ndaj kërkesave të opozitës.


Opozita e ka shpallur qëndrimin e saj, i cili është deri në fund për një transparencë për zgjedhjet e qershorit. Lajmet e ardhura për mos rakordimin e dy delegacioneve shqiptare që morën pjesë atje kanë përgjegjësit e tyre, por ne këmbëngulin në qëndrimin tonë se përgjegjësi kryesor për këtë situatë të krijuar është Kryeministri Sali Berisha.



A ka pasur një draft konkret për zgjidhjen e krizës politike në tavolinën e Strasburgut?


Unë di që gjithçka është biseduar ka konsistuar në atë që ka thënë ambasadori Bosh. Ai ka qenë objekti i bisedës.


Ndërkohë që Kryeministri ka qenë kategorik dhe nuk ka pranuar fare të diskutojë sepse kërkesa e tij e patolerueshme është që të digjen fletët e votimit, çka do të thotë se ky njeri e ka keq me fletët e kutive të votimit.


Kur shkohet për negociata, negociohet, por ky nuk e ka toleruar fare hapjen e kutive të votimit, dhe fletët e tyre kërkon që t'i djegë sa më parë. Këtu ka konsistuar ndarja dhe nuk pranuar të bisedohet më tej. Qëndrimi i opozitës është i afërt me qëndrimin që ka deklaruar Bosh.


Partia Socialiste e pranoi si kompromis që të hapeshin kutitë e materialeve zgjedhore, ndërkohë ku të konstatohen probleme me kutitë e fletëve të votimit të dërgohen në Komisionin e Venecias për t'u shprehur, gjë që nuk është pranuar nga mazhoranca. Partia Socialiste i qëndron këtij drafti dhe nuk ka arsye që të lëshojë më shumë, për faktin sepse Partia Socialiste një gjë nuk do ta lëshojë kurrsesi; thelbin e transparencës, e cila sipas të gjitha akteve ligjore e nënligjore, nuk cënon vendimet e gjykatave.

Pas dështimit të negociatave në darkën e Strasburgut, faktori ndërkombëtar i ka dhënë dy javë kohë forcave politike për të zgjidhur krizën politike, në të kundërt do të ketë masa të ashpra ndaj procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.


Si do të procedojë opozita gjatë këtyre javëve për të gjetur një kompromis politik me mazhorancën ?

Opozita do të vazhdojë "luftën" për të çuar deri në fund kauzën aq më tepër që deri më tani kemi një material të rekomanduar, të konsultuar me përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe do t'u përmbahet këshillave dhe kërkesave, të cilat tashmë janë formatuar si drafte dhe janë hedhur në tavolinë.


Drafti ka qenë esenca e bisedimeve në Strasburg, por esenca është tek transparenca e plotë e procesit zgjedhor të 28 qershorit, që ka të bëjë me hapjen e materialeve zgjedhore dhe konservimin e kutive me fletët e votimit të cilat do t'i bëhen prezent Komisionit të Venecias nëse do të konstatohen probleme gjë që kundërshtohet në mënyrë të prerë nga mazhoranca e cila insiston që të djegë fletët e votimit sa më parë në mënyrë të paarsyeshme


Përsa i përket formave të reagimit të opozitës, unë mund të theksoj se kjo do të modifikohet në ditët në vazhdim.


Për të qenë më pranë procesit ne jemi konsultuar dhe kemi biseduar me njëri -tjetrin në Partinë Socialiste. Por, tashmë është bërë e qartë se këtë çështje e ka në dorë vetëm një njeri, që është Kryeministri Sali Berisha. Fatkeqësisht Kryeministri është bërë qesharak.


Ulet për të bërë kompromise dhe qëndron në pozicionin e tij absurd. Shqiptarët e dinë që ky Kryeministër, sa herë ka qenë në drejtim nuk e ka mbyllur shumë këndshëm të kaluarën e tij, e ka mbyllur me misione të huaja ushtarake dhe ne do të dëshironim që kjo kohë të mos vinte.


Ajo që duhet të them është se ne do ta largojmë Sali Berishën me forcë, por me forcën e qëndresës dhe rezistencës.


Kjo do të thotë në mosarritjen e një kompromisi, do të jeni sërish në protestë?


Sigurisht do të jemi në protestë, do të jemi në të gjithë sheshet e Shqipërisë, për të kthyer në vend legjitimitetin e një shteti, i cili votohet nga populli dhe nuk grabitet nga pushteti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›