E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Kutitë", komision i ri hetimor, puna nis në shtator

Hetimi i zgjedhjeve të 28 Qershorit do të realizohet nga një komision i ri hetimor, puna e të cilit do të fillojë në shtator.


TIRANË- Ndërsa këtë fillim jave pritet të nisin zyrtarisht negociatat mes eksperteve të mazhorancës dhe opozitës për të gjetur një zgjidhje mbi krizën politike në vend, ajo që mund të thuhet e sigurt, është se pavarësisht formulës së kompromisit, hetimi për zgjedhjet e 28 qershorit pritet të fillojë vetëm në muajin shtator.


Burime të gazetës "Shekulli" pranë dy palëve që do të negociojnë, tregojnë se pas marrëveshjes që pritet të arrihet për një periudhë dy javore, bisedimet do të vijojnë edhe për modalitetet e implementimit të dokumentit. Kështu, muaji qershor, tregojnë burimet, do të jetë i shoqëruar me bisedime konkrete mbi teknikalitetin e të gjitha hapave, që do të hidhen.


Mësohet gjithashtu se deri në fund të këtij sesioni parlamentar (që zakonisht mbaron në fund të muajit Korrik) do të jetë ngritur edhe Komisioni i ri Parlamentar për hetimin e Zgjedhjeve të 28 qershorit 2009-të, pasi komisioni që miratoi mazhoranca javë më parë në mënyrë krejt të njëanshme, jo vetëm që nuk pranohet nga Partia Socialiste, por asaj tashmë po i mbaron edhe mandati.


Siç edhe dihet, komisioni hetimor parlamentar u ngrit në muajin Mars në mënyrë krejt të njëanshme. Për pasojë, edhe pse Kuvendi përcaktoi anëtarët e mazhorancës në këtë komision, veprimtaria e këtij të fundit nuk u zhvillua qofte edhe një orë të vetme.


Formalisht mandati i këtij komisioni duhet të përfundojë në fund të muajit maj. Në të njëjtën kohë, duke parë edhe detajet, që do të pasojnë marrëveshjen në fund të këtyre 2 javëve, si edhe pushimet e verës, hetimi konkret i zgjedhjeve parlamentare që ka futur vendin në krizë prej një viti, pritet të fillojë vetëm në muajin shtator kur edhe do të nisë sesioni i ri i Kuvendit.


Nuk përjashtohet ndonjë kërkesë e opozitës që komisioni hetimor, që pritet të ngrihet si rrjedhojë e marrëveshjes, që do të firmosin palët, të punojë pa pushim edhe gjatë muajve të verës. Por kjo pritet për tu parë në momentin që të gjitha modalitetet do të kenë përfunduar.


Nga sot, bie gongu i 2 javëshit të negociatave, që e përkthyer me kalendar, brenda datës 6 qershor palët duhet të kenë gjetur pikat e përbashkëta në dokument gjatë bisedimeve edhe me ekspertët e Bashkimit Europian, që do të vijnë nesër në Tiranë.


Gjatë kësaj periudhe, mund të ketë edhe takime të nivelit politik, ku të dy liderët e dy partive kryesore në vend, Berisha dhe Rama, nuk e kanë përjashtuar mundësinë e një takimi të dytë, në funksion të zgjidhjes së krizës, megjithëse një marrëveshje e arritur para 2 qershorit kur në Sarajevë është edhe Samiti i vendeve të Ballkanit do të ishte shumë i mirëpritur nga ndërkombëtarët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›