Gjirokastër, sekuestrohen tri automjete luksoze, tre të ndaluar
GJIROKASTËR- Tri automjete luksoze janë bllokuar gjatë 24 orëve të fundit në qytetin e Gjirokastrës dhe Pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijës, pasi kanë rezultuar të vjedhura. Në pranga kanë përfunduar dy të rinj, ndërsa një shtetas italian po ndiqet në gjendje të lirë.
Operacioni i koduar "Makina luksoze" do të vijojë edhe gjatë ditëve të ardhshme në të gjithë qarkun jugor. "Si rezultat i këtij operacioni, në qytetin e Gjirokastrës janë sekuestruar dy automjete prodhim i viteve të fundit dhe konkretisht automjeti tip BMV X5 me targa DT 739 FK, i drejtuar nga shtetasi Salento Gërveshi, 34 vjeç, lindur dhe banues në Lazarat si dhe automjeti tip BMV, seria 5, me targa CP 221 FL, i cili drejtohej nga shtetasi Bektash Kore, 24 vjeç, lindur dhe banues në Gjirokastër.
Për të dy këto mjete kishte informacione se ishin të vjedhura", shprehen burimet e policisë. Automjeti i tretë është bllokuar në Kakavijë, në hyrje të territorit shqiptar. Mësohet se automjeti tip "Benz", që drejtohej nga një shtetas italian me inicialet L.S, për të cilin ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për veprat penale të "vjedhjes" si dhe të "trafikut të mjeteve motorike" ka rezultuar i vjedhur në Itali.