E Diel, 1 Nëntor 2026

Grupi i PS-së, Ruçi kryetar me unanimitet

Autori i Lajmit: S.T

Gramoz Ruçi rikthehet në drejtimin e Grupit Parlamentar socialist. Deputetët socialistë me votim të fshehtë, vetëm pak orë para mbajtjes së Konferencës së Kryetarëve të thirrur nga kryeparlamentrja Topalli, kanë votuar në mënyrë unanime kryetarin e Asamblesë kombëtare si kryetar të grupit kuvendor. Mbledhja e Grupit Parlamentar u zhvillua pas mbledhjes së kryesisë socialiste. Të pranishëm në votim kanë qenë 55 deputetë, pa përfshirë këtu Ruçin, i cili si kandidat i vetëm, nuk ka të drejtë të votojë ndërsa kanë munguar 8 të zgjedhur socialistë Pandeli Majko, Ben Blushi, Kastriot Islami, Andis Harasani, Marko Bello, Fidel Ylli, Ilir Bejtja dhe Rudina Seseri. Sot pritet që socialistët të zgjedhin dhe strukturat e tjera drejtuese të grupit parlamentar. Gramoz Ruçi ka drejtuar Grupin parlamentar socialist dhe kur këta të fundit, ishin në mazhorancë në periudhën 2002- 2005 kur partia dhe qeveria drejtohej nga Fatos Nano. “Grupi parlamentar i Partisë Socialiste zgjodhi përmes votimit të fshehtë edhe Kryetarin e Grupit Parlamentar. Në mënyrë unanime, me 55 vota pro, asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim, grupi parlamentar i Partisë Socialiste zgjodhi zotin Gramoz Ruçi Kryetar”,- u shpreh deputeti Eltar Deda pas mbledhjes. Ai konfirmoi se në mbledhjen e Grupit Parlamentar, u diskutua në lidhje me qëndrimin e Partisë Socialiste mbi projektligjin e dorëzuar në Parlamentin e Shqipërisë për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin numër 8891 i datës 05/02/2002 për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit dhe projektvendimin për ngritjen e Komisionit Hetimor.
Ky lajm është publikuar: 03/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›