E Diel, 1 Nëntor 2026

Xholi: “Skishim prova, pushuam 171 çështje”

Autori i Lajmit: Redaksia

Prokuroria e Tiranës ka pushuar 171 çështje vetëm gjatë vitit 2009, për mungesë provash. Faktin e ka pohuar drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës, Genti Xholi, i cili ka bërë kritika, por dhe vlerësime në analizën 1-vjeçare të këtij institucioni.
Në këtë analizë kanë qenë të pranishëm, kryeprokurorja Ina Rama, drejtori i hetimit kontrollit të ndjekjes penale në prokurorinë e përgjithshme Sokol Stojani, si dhe prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore të Prokurorisë së Tiranës.
Kryeprokurori Xholi
Xholi deklaratën e tij e ka nisur me regjistrimin e kallëzimeve penale, ku për vitin 2009 shënohen 7286 kallëzime. Punën e oficerëve të policisë gjyqësore nuk e ka cilësuar mjaft të mirë kryeprokurori i kryeqytetit, duke shtuar pas se është rritur edhe numri i vjedhjeve. Por, gjatë fjalës së tij kreu i akuzës së Tiranës ka pohuar se gjatë viti që lamë pas janë pushuar 171 dosje për mungesë provash, 525 nuk përbënin vepër penale dhe 222 dosje janë pushuar pasi i dëmtuari ka hequr dorë. Ndërkohë 182 dosje të vjetra që ishin pushuar, janë rihapur.
Vjedhjet me dhunë
Xholi tha në fjalën e tij se nga konstatimet rezulton se ka një rritje të numrit të rasteve të vjedhjeve me dhunë si dhe të përdorimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike. "Në krahasim me një vit më parë konstatohet se janë regjistruar 297 kallëzime më shumë dhe është rritur 243 numri i atyre rasteve, ku është vendosur mosfillimi i procedimit penal. Edhe këtë vit i është nënshtruar një vëmendje e madhe studimit dhe verifikimit të materialit kallëzues. Qëllimi kryesor ka qenë që të evidentohen regjistrimet e pabazuara të procedimeve penale pasi në këtë mënyrë shmangen hetimet e panevojshme duke garantuar më shumë të drejtat dhe liritë themelore të shtetasve", tha Gent xholi, drejtues i Prokurorisë së Tiranës. Gjatë analizës u evidentua se është e domosdoshme rritja e eficiencës së punës së oficerëve të policisë gjyqësore në dokumentimin e dosjeve. Por, ajo që u evidentua gjatë analizës është edhe fakti se nga 2786 procedime penale, vetëm 5 prej tyre janë nisur kryesisht nga ky organ hetimi. Genti Xholi theksoi në deklaratën e tij se shqetësimi më i madh për organin e akuzës është rritja e numrit të vjedhjeve. Por nga ana tjetër në punën e prokurorisë së Tiranës nuk kanë munguar dhe problemet. Kreu i këtij institucioni u shpreh dje se janë shënuar vonesa serioze në mbylljen e hetimeve. Në një bilanc të gjithë punës së këtij institucioni theksohet se janë marrë 1885 çështje në gjykim me 2343 të pandehur.

Ky lajm është publikuar: 03/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›