Grupi i deputetëve të PD i apelon Edi Ramës të deklarojë pasurinë e tij dhe të partnerëve bashkëjetues

Bogdani: Fabrika e mashtrimit ka hyrë thellë në borxh me ligjin dhe me shqiptarët
Partia Demokratike i bëri thirrje sot kryetarit të socialistëve Edi Rama, që të bëjë deklarim të drejtë të pasurisë ashtu siç e kërkon ligji dhe njëherazi të japë emrat e partnerëve bashkëjetues, me të cilët ndanë pazaret. Deputeti demokrat, Gerti Bogdani, deklaroi gjatë një konference për shtyp se Edi Rama shkelur ligjin ka gënjyer shqiptarët kur ka deklaruar se është fukara dhe i pa strehë.
“Edvin Kristaq Rama, Kryetari i Bashkisë së Partisë, i kthyer në një fabrikë mashtrimesh, shpifjesh, për arsye politike ka hyrë thellë në borxh me ligjin dhe me shqiptarët edhe me fshehjen e pasurisë së paimagjinueshme të tij. Ai i ka thënë shqiptarëve se është fukaraja më i madh i vendit, ai ka gënjyer se nuk ka shtëpi, as adresë, as para, as pronë. Fshehja e pasurisë përbën një vepër të rëndë penale, dhe kthen zotin Raman në një të pandehur para ligjit dhe opinionit publik. Zoti Rama: Shqiptarët duan të dinë cila është kjo frikë e tmerrshme që ju detyron të fshihni pasurinë marramendëse tuajën? Pse nuk jep emrat e partnerëve bashkëjetues që ke patur dhe ke? Pse zoti Rama nuk deklaron pasuritë e partnerëve të tij bashkëjetues? Cila është pjesa e pasurisë që ke dhe ke ndarë me këto partnerë me të cilët ke bashkëjetuar dhe bashkëjeton?”- vijon në deklaratën e tij, deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani.
Rajmonda Bulku: Rama, tentativë për të betonizuar zonën më të bukur të kryeqytetit, Parkun e Liqenit
Edhe deputetja për qarkun Tiranë, Rajmonda Bulku ngriti sot shqetësimin e qytetarëve për rrezikun që i kanoset nga betonizimi hapësirët së gjelbërt të Parkut të Liqenit.
Përmes një deklarate për mediat, Bulku tha se për përfitime marramendëse, Edi Rama ka përfshirë në hartën e betonizimin një sipërfaqe prej 130 mijë m2, në zonën e Liqenit. “Edvin Kristaq Rama ka projektuar betonizimin e të vetmes zonë të gjelbër që ende nuk është shkatërruar afër liqenit të Tiranës. Për përfitime marramendëse personale që kanë kaluar dhe po kalojnë në xhepin e Edvin Ramës, ai ka përfshirë për të betonuar një sipërfaqe prej 130 mijë m2, në zonën më të bukur. Intensiteti i ndërtimeve që zoti Rama ka parashikuar, ndër më të lartat e imagjinueshme, është mostra e fundit prej betoni që Mister 20% ka ideuar”- u shpreh Bulku.
Sipas saj, nga këto ndërtime mbi 90% i janë dhënë klanit të njerëzve më të afërt të Kryetarit të Bashkisë. Dhe kjo nuk është lojë z. Rama.
“Si deputete e Tiranes, me ndjenjën e thellë të përgjegjësisë për të parandaluar masakrën që Edvin Kristaq Rama ka projektuar pranë Liqenit të Tiranës, për miliona euro që ai fut në xhep, i kërkoj zotit Kryeministër për të gjetur mënyrat për të ndaluar këtë masakër urbane në kryeqytetin e vendit tim”- konkludoi deklaratën e saj për shtyp, deputetja e Partisë Demokratike për qarkun Tiranë, Rajmonda Bulku.