E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherr për parkimin, deputeti Erion Braçe goditet me pëllëmbë



TIRANË - Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, është përfshirë në një sherr banal pak para mesditës në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të Ministrisë së Mbrojtjes. Në debat e sipër, një djalë i ri, emigrant, e ka qëlluar deputetin me shpullë pasi kishin shkëmbyer disa debate me njëri-tjetrin. Forcat e policisë janë gjendur në vendin e ngjarjes vetëm pak minuta pasi ka ndodhur sherri. Burimet zyrtare nga Policia e Tiranës thanë zyrtarisht se sherri ka ndodhur për motive banale kur dy automjetet, ai i deputetit dhe ai i personit tjetër, Rigels Shehaj, të përfshirë në sherr, ishin zënë për një vend parkimi në zonë. “Në sheshin ‘Skënderbej’ në Tiranë është goditur, pas një grindjeje të çastit deputeti i PS-së, Erion Braçe. Policia e Tiranës ka marrë masa të menjëhershme duke kapur dhe shoqëruar për në ambientet e Komisariatit Nr. 1 në Tiranë autorin e dyshuar të këtij konflikti banal, Rigels Shehajn, 27 vjeç, ndaj të cilit po kryhen veprimet e tjera procedurale”, - tha zëdhënësja e Policisë së kryeqytetit, Alma Katragjini.
Deklarata e Braçes
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, deklaroi dje se nuk ka pasur asnjë incident ndaj tij në mëngjes. Në një konferencë për mediat, Braçe tha se “s'ka pasur sherr. Nuk ka ndodhur asnjë lloj konflikti për makinë, nuk ka ndodhur asnjë lloj përplasjeje makine dhe as sherr për parkimin".
Ndërkohë që Braçe ka qenë në Komisariatin e Policisë së Tiranës ku dhe ka dhënë shpjegimet përkatëse, së bashku me 27-vjeçarin Rigels Shehaj. Braçe u shpreh se nuk ka pasur incident, por shtoi se personi në fjalë e kish kuptuar gabimin dhe kërkoi falje. “Nuk ka ndodhur më herët absolutisht asgjë që të më ketë cenuar mua apo makinën time, apo makinën e ndonjë qytetari tjetër, asnjë lloj konflikti për parkim, asnjë lloj konflikti për makinat, asnjë lloj konflikti për ndonjë arsye tjetër. Çdo gjë është zgjidhur ligjërisht. Djali që është ndaluar nga policia e kuptoi gabimin, kërkoi falje dhe besoj duhet të jetë duke ikur në shtëpi”, - tha Braçe.
Deklarata e Shehajt
Gjatë marrjes në pyetje, Rigels Shehaj u ka thënë punonjësve të policisë se nuk e dinte që personi të cilin e kishte qëlluar ishte deputet. Pas marrjes së dëshmisë së tij dhe mosdenoncimit nga deputeti i PS-së, Policia e Tiranës e ka lënë të lirë të riun, autor të ngjarjes. Në një deklaratë zyrtare të bërë publike dje, policia tha se, “në lidhje me një incident të ndodhur paradite në sheshin ‘Skëndërbej’ në Tiranë, ku pas një grindjeje të çastit u godit me pëllëmbë deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, sqarojmë opinionin publik se Policia e Tiranës menjëherë mori masat e shpejta duke kapur dhe shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, Tiranë, autorin, 27-vjeçarin Rigels Shehaj. Pas debatit, deputeti Braçe u paraqit në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, Tiranë, i cili refuzoi për të ndjekur ligjërisht këtë incident të rastësishëm. Po ashtu edhe 27-vjeçari Rigels Shehaj nuk depozitoi asnjë kallëzim penal për këtë grindje të çastit. Shërbimet e policisë së Komisariatit të Policisë Nr. 1, Tiranë morën në pyetje 27-vjeçarin dhe kreu veprimet e nevojshme procedurale, ndërkohë që ai është lënë i lirë”, - tha Policia e Tiranës.

Zjarr masiv në Urën Vajgurore, digjen 25 hektarë pyll
BERAT - Një zjarr ka rënë mesditën e djeshme në një kodër të mbjellë me pisha në qytezën e Urës Vajgurore, ndërkohë një sipërfaqe prej rreth 25 hektarësh është përfshirë nga flakët duke shkrumbuar gjithë sipërfaqen me shkurre dhe flakët përfshinë dhe pishat. Zjarri u shfaq rreth orës 14:00 në lagjen e quajtur "Gurri i Bardhë", ku në mes të kodrës janë shfaqur shenjat e para të flakëve, të cilat më pas, të ndihmuara dhe nga temperaturat e larta dhe era, janë përhapur me shpejtësi. Kanë qenë banorët e lagjes dhe punonjësit e guroreve të shumta që ndodhen në këtë zonë, të cilët kanë parë flakët dhe menjëherë kanë kërkuar ndihmën e zjarrfikëses në qytetin e Beratit. Mjeti zjarrfikës dhe punonjësit e këtij sektori kanë udhëtuar menjëherë drejt vatrës së zjarrit ku kanë nisur nga puna për fikjen e flakëve. Por, terreni i vështirë dhe gjendja e rrugës ka bërë të pamundur futjen e mjetit zjarrfikës në brendësi të kodrës, ndërkohë që punonjësit zjarrfikës kanë udhëtuar në këmbë dhe punuan me mjete rrethanore për fikjen e zjarrit. Ndihmë i është kërkuar dhe Repartit të Reagimit të Shpejtë në Poshnje. Ne vendngjarje ka mbërritur edhe policia, e cila ka marrë në pyetje dëshmitarët për shkak se dyshohet një zjarrvënie e qëllimshme për të hapur toka të reja të prodhimit të inerteve në këtë zonë. Ky është rasti i parë i zjarrit me përmasa të mëdha për këtë vit në qarkun e Beratit.

Fluksi i udhëtarëve shkakton radhë të gjata
KAPSHTICË - Dita e djeshme shënoi radhë të gjata në pikën e kalimit kufitar në Kapshticë, si pasojë e fluksit të shtetasve që hyjnë dhe dalin në territorin tonë. Policia Kufitare njofton se gjatë 24 orëve të fundit, në pikën kufitare të Kapshticës kanë hyrë 2099 shtetas shqiptarë me 674 automjete dhe 225 shtetas të huaj me 128 automjete. Ndërkohë, për në Greqi kanë kaluar 3329 shtetas shqiptarë dhe 929 automjete. Pala shqiptare ka punuar dje me katër sportele në hyrje dhe tre në dalje për të përballuar këtë fluks. Gjatë orëve të ditës pala greke punon me katër sportele, por natën punon vetëm me një, çka sjell edhe vonesa në kalimin e udhëtarëve, sidomos të atyre me autobusë. Në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, gjatë muajit korrik hynë 45 mijë persona, ndërkohë që gjatë 18 ditëve të gushtit, kanë hyrë mbi 50 mijë persona.

Bie nga kati i katërt 25-vjeçarja, nisin hetimet e policisë
ELBASAN - Një vajzë e re ka rënë nga kati i katërt i një pallati dhe ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak. Burime zyrtare nga Policia e Elbasanit thanë se ngjarja ka ndodhur në Gramsh. Rreth orës 23:50 të dy ditëve më parë, në Lagjen Nr. 5, Gramsh, ka rënë nga kati i katërt i pallatit 25-vjeçarja me inicialet M. B., lindur e banuese në Gramsh. Pasi ka marrë mjekim në Spitalin e Gramshit, vajza është dërguar për mjekim më të specializuar në Spitalin Ushtarak, Tiranë, tha policia. Nga të dhënat e policisë është mësuar se 25-vjeçarja ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Në vendngjarje kanë shkuar uniformat blu që kanë nisur hetim dhe po punohet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të kësaj ngjarje.

E tërheq mushka zvarrë, i riu në gjendje të rëndë ELBASAN - Një tjetër person është plagosur rëndë pasi është tërhequr nga kafshët. Burime zyrtare nga Policia e Elbasanit kanë bërë të ditur se gjatë mëngjesit të djeshëm, në orën 00:30, janë njoftuar se në Spitalin Kirurgjik Elbasan, ka ardhur i dëmtuar shtetasi me inicialet G. H., 33 vjeç, lindur e banues në lagjen "Skënderbej", Elbasan, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Nga hetimet e para të bëra nga policia dhe nga deklarimet e të afërmve, është arritur në përfundimin se dëmtimi ka ardhur aksidentalisht, pasi në fshatin Zavalinë, është rrëzuar dhe tërhequr disa metra nga një mushka e tij.

Sekuestrohen drogë dhe armë në Verçisht
PËRMET - Policia e Përmetit ka vënë në pranga një kultivues lëndësh narkotike. Ervin Bregasi, sipas policisë, kishte mbjellë një parcelë me hashash në fshatin Verçisht. Bregasi u arrestua në flagrancë në orët e para të mëngjesit të djeshëm ndërsa po shkonte në parcelën me lëndë narkotike, që e kishte hapur rishtas në mes të pyllit. Rrënjët e Canbabisit që u asgjësuan nga policia ishin nga 150 deri në 270 centimetra të larta. Blutë e Përmetit sekuestruan edhe një arme tip shotgan që Bregasi e mbante pa leje.

20 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›