Sejdiu: “Deklarata për pavarësinë është tërësisht e pavlefshme”
Deklarata që po qarkullon ditët e fundit për mundësinë e shpalljes së pavarësisë së Veriut të Kosovës është tërësisht e pavlefshme. Kjo ka qenë deklarata e presidentit kosovar Fatmir Sejdiu gjatë vizitës së tij në komunën e re të Parteshit, ku mori pjesë në inaugurimin e strukturave udhëheqëse të komunës serbe.
Sejdiu konsideroi se vendi përballet me probleme të tjera më serioze, në momentin që pas disa javësh do të mbahet mbledhja e OKB-së ku Serbia prezanton një projektrezolutë kundër Kosovës. Letra sipas tij është tërësisht joserioze dhe si e tillë nuk ia vlen që të merren me të. Sejdiu pranoi se pas kësaj letre kanë pasur takim me përfaqësuesit e vendeve të Quint-it por sipas tij, deklaratës së lëshuar nga persona anonimë nuk i është dhënë rëndësi e madhe dhe institucionet e Kosovës janë treguar të matura në këtë rast. Presidenti gjatë qëndrimit në komunën e re të Parteshit, mori pjesë në inaugurimin e strukturave udhëheqëse të komunës serbe ku asamblistët bën betimin para tij. Sejdiu, përfaqësues të ICO-së dhe të pushtetit lokal kanë premtuar mbështetje për komunën e Parteshit si dhe për përmirësimin e jetës së qytetarëve. Dy ditë më parë qarkulloi një deklaratë, sipas së cilës Veriu i Kosovës do të shpallte pavarësinë. Megjithatë autorët e saj mbetën anonimë, madje edhe vetë serbët u distancuan duke konsideruar se çdokush që e ka bërë këtë nuk ia do të mirën serbëve në Kosovë. Sipas deklaratës për pavarësinë e Veriut, i kërkohej të ashtuquajturit Kuvend të Bashkësisë së Komunave të Kosovës dhe të Metohisë që të miratojë siç thuhet “vullnetin e lirë të qytetarëve serbë për pavarësinë e territoreve të komunave të krahinës autonome”. Qeveria dhe institucionet e tjera të Kosovës i kanë përcjellë me vëmendje zhvillimet në pjesën veriore të banuar me shumicë serbe, por më pas kanë komentuar se nuk ka asnjë gjë për t’u shqetësuar lidhur me këtë çështje. Sejdiu dhe Thaçi u takuan me përfaqësues të vendeve të Pesëshes, takim ky i realizuar pa praninë e medieve, por mendohet se deklarata ka qenë një nga arsyet e realizimit të saj. Agjencia e lajmeve kosovare “RTK” sqaroi se takimi u zhvillua pak javë pas kërkesës së Serbisë për një Rezolutë të re për Kosovën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, pas mendimit të GJND-së i cili vlerësoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk i ka shkelur parimet dhe të drejtën ndërkombëtare.
BOX
Thaçi përgënjeshtron AAK-në: “Asnjë takim sekret me Serbinë”
Kryeministri i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi ka përgënjeshtruar deklaratat e AAK-së se janë zhvilluar bisedime sekrete me Serbinë dhe për këtë arsye kjo parti duhet t’u kërkojë falje qytetarëve dhe institucioneve për shpifjet. Duke mohuar takimet sekrete me Serbinë, ai tha se me Serbinë do të bisedohet vetëm si dy shtete të barabarta dhe për çështje që kanë të bëjnë për të dyja shtetet. Kryeministri Thaçi tha se Kosova sërish do ta mundë Serbinë edhe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Dy ditë më parë AAK-ja foli për prova, të cilat do të publikoheshin dhe do të vërtetonin pjesëmarrjen e autoriteteve në këto bisedime, ndërsa më vonë, në një deklaratë për shtyp nuk u fol për emra, por vetëm për përfshirjen e plotë të kryeministrit Hashim Thaçi.
Serbi, fillojnë hetimet për pasuritë e kriminelëve të luftës
Serbia ka filluar hetimet ndaj pasurisë së 22 personave të akuzuar apo të dënuar si kriminelë lufte. Hetimet janë fokusuar nëse pasuria e të akuzuarve apo të dënuarve në fjalë është vënë nga vjedhjet e viktimave të luftërave në Ballkan. “Zyra e prokurorit për krime lufte ka nisur hetimin mbi origjinën e pasurisë së katër personave të dënuar për krime lufte në Bosnje dhe 18 të tjerëve të dyshuar për krime gjatë konfliktit të viteve 1998-1999 në Kosovë”, tha Bruno Vekariç për agjencinë franceze të lajmeve, “AFP”. Vekariç shtoi se katër nga personat që po hetohen, kanë qenë pjesëtarë të njësitit paraushtarak “Skorpions”, përfshirë ish-komandantin e tyre Sllobodan Mediç.
18 persona të tjerë, kanë qenë anëtarë të grupit paraushtarak “Çakalli” dhe akuzohen për vrasjen e 40 shqiptarëve në Qyshk të Pejës.
Greqi, tjetër viktimë nga virusi i Nilit, shtim rastesh deri në shtator
Në veri të Greqisë është shënuar një vdekje tjetër nga virusi i Nilit duke e çuar numrin e viktimave në pesë. Në dy ditët e fundit janë regjistruar 17 raste të reja dhe numri i të prekurve ka shkuar në 77. Qendra e Parandalimit dhe Kurimit të Sëmundjeve Infektive bëri të ditur se rritja e numrit të të prekurve do të vazhdojë deri në fund të muajit shtator kur do të zhduken edhe mushkonjat në zonat e Greqisë Veriore. Ministria greke e Shëndetsisë u ka dhënë akoma 300.000 euro organeve lokale për spërkatje me pesticide në qytetet e Selanikut, Verias, Larisës, Kilkizit dhe Kozanit.
“Guardian”: Karla del Ponte në hetim, ka shkelur rregullat e GJND-së
Ndaj Karla del Pontes, ish-kryeprokurore e Gjykatës Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë do të nisin hetimet. Del Ponte është personi që dërgoi pas hekurave të burgut disa nga drejtuesit e luftërave në Ballkan dhe pas kësaj ajo do të hetohet rreth akuzave se ka lejuar frikësimin dhe dhënien e ryshfeteve për dëshmitarët, si dhe shkatërrimin apo dëmtimin e provave. Gjyqtarët e Kombeve të Bashkuara në Tribunalin për ish-Jugosllavinë kanë urdhëruar hetime të pavarura ndaj praktikave të Del Pontes dhe dy prokurorëve kyç që vazhdojnë të jenë pjesë e këtij sistemi, përkatësisht Hidelgard Ultz Retzlaff dhe Daniel Saxon. Hetimi ka filluar pas ankesave të dëshmitarëve se janë kërcënuar, paguar, keqtrajtuar dhe provat e tyre janë dëmtuar. Kjo është hera e parë në 17 vitet e kësaj gjykate ku prokurorët kryesorë përballen me dënime të mundshme për mosrespektim të rregullave të Gjykatës.
Gjatë tetë viteve të saj si kryeprokurore, Del Ponte, e cila shërben aktualisht si ambasadore e Zvicrës në Argjentinë, njihet si një figurë luftarake, por dhe shumë kundërthënëse. Ajo u largua nga detyra në vitin 2007. Akuzat kundër saj lidhen me shqetësimet rreth praktikave të përdorura nga ekipi i hetuesve të saj në procesin e Vojisllav Sheshelit, një prej drejtuesve më famëkeq të luftërave në ish-Jugosllavi. “Disa nga dëshmitarët kanë folur për presion dhe kërcënime të bëra nga hetuesit e prokurorisë”, thuhet në një deklaratë nga gjyqtari i rastit të Sheshelit. “Prokuroria ka marrë dëshmi në mënyrë të paligjshme, përmes kërcënimeve, apo blerjes së dëshmitarëve”. Një dëshmitar serb tha se i është ofruar një punë e paguar mirë në Shtetet e Bashkuara nëse dëshmonte në favor të Prokurorisë. Një hetues i pavarur, që besohet të jetë gjykatës francez, do të raportojë rreth akuzave për gjashtë muaj. Prokuroria në Hagë i ka hedhur poshtë akuzat, por ka premtuar se do të bashkëpunojë.
20 Gusht 2010