E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Grupi i kasafortave", dyshohet edhe për vjedhje

Prokuroria e Krimeve të Rënda tërhoqi nga ajo e Tiranës aktet hetimore të 14 dosjeve për krimin e vjedhjes të cilat ishin pa autor


Hetuesit presin përfundimin e akteve të ekspertimit për dosjet e pazbardhura, ndërsa pritet të kryhen veprime të tjera hetimore


TIRANË- Grupi i kasafortave dyshohet edhe për 14 grabitje të tjera banesash bankash dhe objektesh të tjera në të cilat janë marrë ose janë tentuar të merren vlera të konsiderueshme monetare.


Për të hetuar këto raste, Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet, administroi në dosjen penale në ngarkim të "grabitësve" të arrestuar tri ditë më parë edhe 14 dosje të tjera penale të cilat ishin pa autor në prokurorinë e kryeqytetit.


Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të institucionit të akuzës, që shtuan se do të verifikohen edhe 14 raste të tjera të vjedhjeve të ndodhura në kryeqytet, të cilat ende janë pa autor për shkak të mungesës së provave.


Me arrestimin e shtatë "grabitësve" dhe tre të tjerëve të shpallur në kërkim, prokuroria sqaron, se në rutinën e punës së tyre hetimore pritet të kryejnë disa verifikime dhe akte ekspertimi, si gjurmët e gishtërinjve të të arrestuarve me dosjet e arkivuara deri më dje në prokurorinë e kryeqytetit.


"Arrestimi i shtatë të akuzuarve për "vjedhje" në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, kemi marrë në shqyrtim edhe 14 dosje penale të cilat kanë qenë pa autor pranë prokurorisë së kryeqytetit dhe do të verifikohen në ditët në vazhdim, duke i krahasuar gjurmët e gishtave të gjetura në vendin e ngjarjeve të këtyre 14 grabitjeve dhe të arrestuarve të tre ditëve më parë.


Këto 14 dosje ishin të pezulluara për mungesë të provave ndaj autorëve, pasi vetëm për të arrestuarin Sulejman Bakalli policia i kishte prova të ndryshme identifikuese, ndërsa për të tjerët jo.


Me arrestimin e gjashtë të tjerëve, pritet të kryhet edhe verifikimi i provave dhe të dhënave të tyre, me ato prova dhe gjurmë të gjetura ndaj të akuzuarve",- thuhet nga prokuroria". Në këtë mënyrë konfirmohet se tashmë dosjet i janë bashkuar procedimit të fundit penal ndaj "bandës".


Shtatë personat e arrestuar si të përfshirë në dhjetëra raste bastisjesh banesash vlerash monetare të majme e deri në thyerjen e zyrave të ambasadës Daneze, u arrestuan javën e kaluar nga policia, në një operacion që zgjati dy ditë. Veç shtatë të arrestuarve, policia shpalli në kërkim edhe tre persona të tjerë të dyshuar si pjesëtarë të bandës së mësipërme.


Në operacionin e arrestimit dhe goditjes së grupit, policia shoqëroi në ambientet e saj më tepër se 18 persona të cilët ishin të dyshuar si autorë të vjedhjeve apo bashkëpunëtorë të bandës.


Masa e Arrestit Të arrestuarit, burg pa afat

Shtatë të arrestuarit do të qëndrojnë në burg deri në përfundim të hetimit, të procesit përkatës. Me kërkesë të prokurorisë, Gjykata e Krimeve të Rënda në kryeqytet e cilësoi të ligjshëm arrestimin e shtatë personave të cilësuar si grupi i parë i strukturuar kriminal në drejtim të vjedhjes së banesave, bizneseve krimeve të tjera kundër pronës.


Të arrestuarit dhe avokatët e tyre mbrojtës, kërkuan nga togat e zeza masa më të buta arresti nga sa kishte kërkuar organi i akuzës, ndërsa mohuan krimet për të cilat dyshohen. Prokurorët e çështjes kundërshtuan këto kërkesa dhe pretendime të avokatëve dhe të të arrestuarve.


Edhe për tre të shpallurve në kërkim, gjykata caktoi masën e sigurisë "arrest me burg", vendime që iu kaluan policisë për ekzekutimin e tyre. Hetuesit kanë siguruar prova të ndryshme materiale në ngarkim të të arrestuarve, që nga përgjimet e llojeve të ndryshme, pamjet filmike, procesverbale të vëzhgimit të tyre në terren dhe gjurmë të llojeve të ndryshme të lëna në banesat apo zyrat ku ata kanë kryer grabitjet. Sipas akuzës, organizatorët dhe personat që piketonin objektivin e vjedhjeve ishin Sulejman Bakalli, Elton Lika dhe Sajmir Kuçi.


"Të tre këta dyshohet se ideonin mënyrën se si do grabisnin objektivin e paracaktuar. Në shumë raste ata shtireshin si punonjës pastrimi të ambienteve të brendshme, duke përdorur edhe tapete, fshesa dore në ambientet që hynin për të grabitur",-thuhet nga prokuroria.


Bashkë me tre organizatorët, policia arrestoi me urdhër të prokurorisë edhe Taulant Matajn, Euklid Habilin, Dritan Dukën dhe Admir Burrin. Atyre iu janë sekuestruar edhe një sërë materialesh të vjedhura në banesa dhe zyra biznesi të ndryshme në vend.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›