Kumbaro, rivendoset arresti nga Krimet e Rënda
Gjykata miratoi kërkesën e prokurorisë për rivendosjen e masës së sigurisë "arrestit me burg" për Ilir Kumbaron që ndodhet në Angli
Vendimi i djeshëm "rrëzon" atë të Gjykatës së Lartë dhënë në fillim të muajit. Vendimi i ri urgjent në Londër për seancën e ekstradimit
TIRANË- Dy javë pas vendimit të Gjykatës së Lartë, që shfuqizoi masën e sigurisë "arrest me burg" dhënë në vitin 2003 Ilir Kumbaros, një nga të akuzuarit për rrëmbimin e Remzi Hoxhës dhe zhdukjen e tij, Gjykata e Krimeve të Rënda, me kërkesë të prokurorisë, caktoi një masë të re sigurie "arrest me burg" në mungesë ndaj tij.
Ky vendim, sipas akuzës, pritet të niset urgjentisht për në Gjykatën e Londrës, pasi me datën 18 dhjetor të këtij vitit autoritet e drejtësisë do të shqyrtojnë ankimin e vendimit të Gjykatës e cila ka vendosur pro ekstradimit të Kumbaros drejt Shqipërisë.
Ndërkaq, vendimi i dhënë nga Gjykata e Lartë pak javë më parë rrezikonte të pezullonte ekstradimin e tij nga Anglia, në bazë të urdhër- arrestit ndërkombëtar të nxjerrë ndaj tij nga Interpoli në bazë të vendimit vitit 2003. Seanca e mësipërme e masës së sigurisë u krye dje ndërsa po dje ishte parashikuar që të zhvillohej normalisht procesi sipas datës së caktuar më parë nga gjykata. Avokatët e Kumbaros kishin kërkuar më parë shtyrjen e procesit për shkak të ngarkesës së dosjeve që kishin.
Për këtë shkak, seanca e masës së sigurisë është zhvilluar dy orë më vonë në të cilën avokatët nuk u paraqitën, ndërsa gjykata caktoi një avokate kryesisht në këtë rast. Prokurori i çështjes, Xhevat Hana, përballë trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtari Xhelal Elezi, lexoi kërkesën për ricaktimin e masës së sigurisë "arrest me burg" në mungesë ndaj të pandehurit Ilir Kumbaro.
Ai akuzohet për rrëmbimin e Ziso Kristopulit, Remzi Hoxhës e Avdyl Loshajt. Sipas prokurorit Hana, ndaj të pandehurit Kumbaro, në këtë proces është shtuar edhe akuza e rrëmbimit të Avdyl Loshajt.
Kjo pasi Kumbaro në vitin 2003, nuk është hetuar për këtë vepër penale dhe çdo masë tjetër përveç "arrestit me burg" është i papërshtatshëm. Gjithashtu, përfaqësuesi i akuzës shtoi se "lirimi i Kumbaros rrezikon prishjen e procesit gjyqësor si dhe ekziston rreziku i arratisjes së tij duke mos u përballur me drejtësinë.
Kjo pasi edhe vepra penale për të cilën akuzohet përbën një rrezikshmëri të lartë shoqërore që paraqet i pandehuri po të mbetet në gjendje të lirë". Trupi gjykues pasi dëgjoi pretendimet e prokurorit dhe avokates së caktuar kryesisht, vendosi t'i caktojë Ilir Kumbaros, në mungesë masën e sigurisë "arrest me burg".
Ky vendim i gjykatës, sipas prokurorit, pritet t'i dërgohet autoriteteve angleze të drejtësisë për të rrëzuar pretendimet e Kumbaros se ndaj tij nuk ka një vendim arresti, pas shfuqizimit të vendimit të dhënë më 18 shkurt të vitit 2003 nga Gjykata e Shkallës së Parë.
Gjykata e Lartë rrëzoi masën e arrestit në fillim të dhjetorit
Vendimi i arrestit për Kumbaron i dhënë në vitin 2003, u shfuqizua në fillim të dhjetorit nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, me argumentimin se "kjo masë ka humbur fuqinë që në korrik", kohë kur janë pushuar me vendim të prokurorit të çështjes akuzat ndaj Kumbaros dhe bashkëpunëtorëve të tij Arben Sefgjini, Avni Koldashi e Budjon Meçe.
Në këtë vendim, përcaktohen qartësisht se pushimi i veprave penale të "shpërdorimit të detyrës" dhe të "torturës", është bërë për shkak të ligjit "Për Amnistinë" e vitit 1997, i dekretuar nga ish- Presidenti Sali Berisha.
Ndërkohë, po dje ishte parashikuar edhe vazhdimi i seancës së 45 gjyqësore të gjykimit të dosjes së themelit ndaj të pandehurve të rrëmbimit të Ziso Kristopulit, Avdyl Loshajt e Remzi Hoxhës.
Ky i fundit edhe sot e kësaj dite nuk është gjetur dhe mendohet se ka vdekur dhe trupi i tij mund të jetë zhdukur. Por, për shkak të paraqitjes së kërkesës për shtyrje nga avokatët mbrojtës të Kumbaros, seanca gjyqësore u shty për të martën e ardhshme në ora 9:00 për të vazhduar me pyetjen e dëshmitarëve të akuzës.
Kumbaro, në kërkim me një vendim arresti të vitit 2003
TIRANË- Ish-SHIK-asi i pandehur, Ilir Kumbaro, ndodhej në proces ekstradimi mbi bazën e një kërkese të bërë nga drejtësia shqiptare, pasi ishte shpallur në kërkim si i dyshuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit Hoxha 14 vjet më parë, krim për të cilin akuzohet se e ka kryer në bashkëpunim me ish-kolegët e tij. Gjykata e Tiranës më 18 shkurt 2003 vendosi ndaj Ilir Kumbaros, masën "arrest me burg" në mungesë, duke e shpallur në kërkim.
Ai dyshohej për veprat penale të "shpërdorimit të detyrës" dhe "torturës", kryer në bashkëpunim në atë kohë. Për mungesë provash dhe faktesh, çështja ndaj Ilir Kumbaros u pushua në atë kohë më 1 korrik 2004. Vendim ky që sipas mbrojtësit, duhet të ishte pushuar edhe masa e "arrestit me burg".
Ndërkohë, në shtator të 2006 me vendim të prokurorit të Përgjithshëm të asaj kohe, Theodhori Sollaku, dosja u rihap sërish. Më 5 maj të vitit 2008, Gjykata e Krimeve të Rënda, mbi bazën e kërkesës së prokurorisë vendosi masën e sigurisë "arrest shtëpie" vetëm ndaj të pandehurve Arben Sefgjini, Avni Koldashi dhe Budion Meçe, masë e cila u ndryshua më pas nga Apeli.
"Për Kumbaron nuk u kërkua vendosja e një mase të re, "kleçkë" e cila është shfrytëzuar mjaft mirë nga avokatët për të bindur Gjykatën e Lartë se masa e marrë në mungesë ndaj klientit të tyre i ka humbur efektet"-thuhet nga prokuroria, që dje me kërkesë të tyre i caktoi Gjykata e Krimeve të Rënda masën e sigurisë "arrest me burg".