S'ka para, qeveria nuk jep rrogat e dhjetorit
Urdhri i Ministrisë së Financave ka bllokuar dhënien e pagave për të gjithë institucionet. Arka e shtetit nuk ka më lekë
Pagat e dhjetorit do të merren vetëm në janar të vitit të ardhshëm, jo për festat e fundvitit
TIRANË - Kriza ekonomike kishte kohë që trokiste në dyert e shqiptarëve, por këtë herë ka hyrë me forcë në shtëpinë e çdo punonjësi të administratave shtetërore.
Asnjë prej tyre nuk do të ketë mundësinë që të blejë gjelin e Vitit të Ri ose të bëjë dhuratat e Krishtlindjeve pa u kërrusur dhe pa vënë në përdorim kursimet e një viti. Një urdhër i Ministrisë së Financave ka ndaluar jo vetëm dhënien e shpërblimeve të fundvitit, por edhe dhënien e pagës së dhjetorit.
Kjo e fundit do të merret në janar të vitit të ardhshëm.
Mëngjesin e ditës së hënë të gjithë punonjësit e Ministrisë së Financave, por edhe ata të zyrave të financës në institucionet e tjera, janë përballur me një e-mail të hidhur.
"Me urdhër të Ministrit të Financës dhe me porosi të zv.ministrit, Z. Haldeda, urdhërohen të gjitha degët e thesarit që të bllokojnë plotësisht përdorimin e fondit të veçantë për të gjitha institucionet, deri në daljen e VKM, i cili do të përcaktojë mënyrën e përdorimit të këtij fondi", - thuhet në urdhrin e Bodes. Por, VKM në fjalë ka dalë më datë 25 nëntor, madje edhe është publikuar në fletoren zyrtare.
Në urdhrin e ministrit Bode është parashikuar edhe një seksion i veçantë për "rebelët". Duke ditur që disa Ministri kanë gati fondin e pagave dhe shpërblimeve dhe mund ta japin pa pasur nevojë të ndërhyjnë në buxhetin e shtetit ose në degën e thesarit, Bode ka parashikuar edhe masat nëse ndodh kjo gjë. "Nga ora 08:00 e ditës së hënë, ky urdhër do të jetë objekt monitorimi, auditimi dhe kontrolli në periudhat në vazhdim.
Në rast se do të vërehen përdorime të fondit të veçantë pas këtij njoftimi, punonjësit e degëve të thesarit do të ngarkohen me përgjegjësi", - thuhet në urdhrin e ministrit Bode.
Ndër të tjera, në urdhër theksohet se duhet të njoftohen të gjitha degët e thesarit që në mënyrë absolute të mos kalojnë pagesa të fondit të veçantë. Ministria e Financave ka shpjeguar se brenda dy ditësh do të bëhet një VKM dhe deri sa të zbardhet ai, nuk do të ketë asnjë pagesë për asnjë institucion.
"Lajmëroni sa më shpejt dhe me konfirmim. Ndërkohë, buxheti do të bëjë pakësimin e fondeve, duke përcaktuar përdorimin e tyre në aktin normativ", - thuhet në urdhrin që i është shpërndarë të gjithë punonjësve të Ministrisë së Financave.
Por, pjesa më e hidhur për të gjithë punonjësit e administratës është fjalia e fundit e këtij urdhri. Aty sqarohet në mënyrë eksplicite se mosmarrja e pagës së 13-të ose shpërblimit të fundvitit janë e keqja më e vogël, pasi punonjësit nuk do të marrin as rrogën.
"Me porosi të drejtorit të Thesarit, Ju sqaroj edhe një herë se pagat e muajit dhjetor 2009 (mujore ose 15-ditëshit të parë ose të dytë) do të ekzekutohen vetëm në Janar 2010", - thuhet në fjalinë e fundit të urdhrit të ministrit të Financave, Ritvan Bode.
Pra, jo shpërblimi i fundvitit, por as paga e muajit, ajo që merret në fund të 15-ditëshit të parë, nuk do t'u jepet këtë vit punonjësve të administratës, sepse qeveria nuk ka para.
Zbatimi i këtij urdhri i dha efektet e para dje teksa ato pak institucione që marrin pagën më datë 15 kanë parë që gjendja e llogarisë së tyre nuk është rritur. Ata kanë pyetur në zyrat e financave dhe kanë mësuar lajmin e keq për bllokimin e pagave dhe shpërblimeve të fundvitit.
Në disa prej institucioneve është hedhur në bankë fondi i shpërblimit të fundvitit, por brenda ditës është tërhequr sërish. Të gjithë punonjësve u është premtuar që paga dhe fondi special do t'u jepet më 15 janar 2010.
Vendimi i qeverisë, nuk lejohen shpërblimet më shumë se një pagë. Për fundvit, vetëm nga dhjetë mijë lekë të reja
Hiqet paga e 13, vetëm 10 mijë lekë shpërblim
TIRANË - Këshilli i Ministrave ka vendosur heqjen e pagës së 13-të për të gjithë punonjësit e administratës publike dhe zëvendësimin e saj me një shpërblim prej dhjetë mijë lekësh, por edhe ky nuk dihet se kur do të merret.
Në fletoren zyrtare është publikuar vendimi i qeverisë në lidhje me këtë çështje, ku urdhërohet që në njësitë e qeverisjes së përgjithshme krijohet fondi i veçantë, në masën pesë për qind të fondit të planifikuar për pagat.
"Ky fond përdoret nga drejtuesit e njësive të qeverisjes së përgjithshme për shpërblimin e punonjësve, për rezultate të mira në punë, për dhënie ndihmash të menjëhershme, në raste fatkeqësish, sëmundjesh që kërkojnë ndërhyrje shëndetësore jashtë vendit, për veprimtari social-kulturore, si dhe për rastet e daljes në pension pleqërie", - thuhet në VKM.
Sipas tij, shpërblimi për rezultate të mira në punë gjatë vitit, për çdo punonjës, nuk duhet të jetë më shumë se 1 (një) pagë mujore në vit. Përjashtimisht për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, masa e shpërblimit nuk duhet të jetë më shumë se 2 (dy) paga mujore në vit.
Në njësitë e qeverisjes së përgjithshme, të cilat janë në fushën e veprimit të ligjit të shërbimit civil, shpërblimi jepet në bazë të rezultateve individuale në punë, sipas parimeve dhe procedurës së përcaktuar në legjislacionin për shërbimin civil.
Për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve kriteret e shpërblimit me mbi një pagë përcaktohen sipas udhëzimit përkatës të ministrit të Financave dhe të ministrit të Brendshëm.
Të gjitha shpërblimet për rezultate të mira në punë do të përballohen nga fondi i veçantë edhe në rastet kur, sipas ligjeve të veçanta, lindin të drejta specifike të shpërblimit të punonjësve.
"Ky rregull nuk zbatohet vetëm kur në ligj janë parashikuar burime të tjera specifike, të ndryshme nga fondi i veçantë i pagave. Në këtë rast, kriteret dhe rregullat e përfitimit të shpërblimeve përcaktohen me udhëzime përkatëse", - thuhet në VKM-në me numër 1151.
Për sa i takon shpërblimit të fundvitit, qeveria ka parashikuar që për çdo punonjësi të njësisë së qeverisjes së përgjithshme, në masën 10 000 (dhjetë mijë) lekë, pavarësisht shpërblimit sipas pikës 3 të këtij vendimi, dhe përballohet nga fondi i veçantë.
"Ngarkohet Ministria e Financave për nxjerrjen e udhëzimit përkatës", - thuhet në VKM dhe në bazë të tij Ministria e Financave ka nxjerrë urdhrin për bllokimin e të gjitha fondeve.
Qeveria bën "show" për shpërblimet e fundvitit
TIRANË - Teksa me shkresa dhe vendime kishin rregulluar mosdhënien e pagave dhe shpërblimeve të fundvitit, kryeministri Berisha dhe ministri Bode dhanë dje një shfaqje në lidhje me mungesën e parave.
Pasi kanë folur me dhjetëra herë që Shqipëria nuk ka njohur krizën dhe se duhet të jetë një vend për tu ndjekur si shembull nga të gjithë; pasi shpenzuan shuma marramendëse në fushata e antimitingje; pasi hapën tunele historike dhe gjetën paratë për rrugën Tiranë Elbasan, krerët e qeverisë pranuan se nuk kanë para për të dhënë pagat e shpërblimet.
"Kryeministri Berisha priti sot ministrin e Financave, z. Ridvan Bode, së bashku me përfaqësues të tjerë të kësaj ministrie dhe drejtues të Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH).
Në këtë takim, Kryeministri Berisha kërkoi që, pavarësisht nga ndikimet e krizës globale, të merren masat që punonjësve të Administratës Publike dhe 540 mijë pensionistëve të vendit të mund t'u jepet një shpërblim fundviti, sado modest të jetë.
Përfaqësuesit e ministrisë së Financave dhe të Institutit të Sigurimeve Shoqërore e njohën Kryeministrin Berisha me vështirësitë e diktuara nga kriza për realizimin e shpërblimit të këtij viti, por, nga ana tjetër, u mor përsipër të shqyrtohen të gjitha mundësitë për realizimin e porosisë së Kryeministrit", - thuhet në njoftimin e qeverisë.