Grupi i të urtëve: PS, tryezë me PD për zgjedhjen e Presidentit

Mbjedhje e grupit të Të Urtëve
Këshilli Politik i PS i sugjeron Ramës të nisë konsultat me PD për kreun e shtetit. Majko: Berisha spranon tryezë.
Grupi i të Urtëve i kërkon Ramës konsulta me PD-në.
Të Urtët i kanë sugjeruar kryetarit socialist ti propozojë Partisë Demokratike një tryezë konsultimi për Presidentin e ardhshëm. Sipas tyre, zgjedhja e Presidentit do të shihet me lupë nga faktori ndërkombëtar më shumë se çdo prioritet i KE, prandaj PS duhet të ndërtojë një proces sa më konsensual. Të Urtët janë shprehur se në arritjen e këtij objektivi duhet të ndërmjetësojë dhe faktori ndërkombëtar. Mesditën e djeshme, në zyrën e kreut socialist kanë mbërritur anëtarët e Këshillit Politik, mes të cilëve ish-presidenti Meidani, ish-kryeministri Ylli Bufi dhe anëtarë të tjerë të këtij këshilli, si Dokle, Ruçi, Majko, Zeneli, Lakrori, Hajdaraga dhe Ruka. Mungonin dje tre anëtarë të këtij këshilli: ish-kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi, Arta Dade dhe Sabit Brokaj. Mbledhja e djeshme ishte vazhdim i asaj që u zhvillua një javë më parë dhe ku u diskutua vetëm për riformatimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Tema e ditës në mbledhjen e djeshme ishte Presidenti i ri i Republikës. Kreu socialist ka kërkuar sugjerime nga anëtarët e Këshillit Politik se në çmënyrë PS mund të ndërtojë një proces me PD për të përcaktuar në parim profilin e Presidentit të ardhshëm, në një ambient politik tejet të polarizuar dhe tensionuar. Në unison pjesëmarrësit në takim ishin të mendimit që PS, vetë kryetari Rama, duhet të dalë në një komunikim publik dhe ti kërkojë Partisë Demokratike një tryezë konsultimi dhe diskutimi rreth Presidentit të ri. Vetë fryma e Kushtetutës kërkon që Presidenti të dalë nga konsultime dhe diskutime mes palëve, gjë që është e shprehur dhe në numrin e votave të cilësuara për të zgjedhur kreun e shtetit në raundet e para, mësohet të jetë shprehur nënkryetari i Kuvendit, Namik Dokle. Ndërsa ish-ambasadori Bashkim Zeneli ka sjellë në vëmendje raste kur maxhoranca ndërton proces konsultimi dhe propozimi të Presidentit nga opozita dhe kur i ka votat për ta zgjedhur atë. Sipas tij, rasti më i freskët është ai Gjermanisë, kur kancelarja Merkel, edhe pse i kishte për ta zgjedhur Presidentin, e zgjodhi atë në konsultime dhe me konsensus të plotë me socialdemokratët dhe të gjelbërit. Sipas Zenelit, ky model duhet të aplikohet dhe në Shqipëri. Por, anëtari i Kryesisë, Pandeli Majko, është shprehur kundër konsultimeve me PD. Berisha e ka shprehur publikisht, nuk pranon dialog, do ta zgjedhë vetë, mësohet të jetë shprehur Majko në takimin e djeshëm.
Këshilli Politik i PS (Të Urtët)
. Servet Pëllumbi
. Rexhep Meidani
. Ylli Bufi
. Namik Dokle
. Gramoz Ruçi
. Bashkim Zeneli
. Pandeli Majko
. Arta Dade
. Ethem Ruka
. Maqo Lakrori
. Luan Hajdaraga
. Sabit Brokaj
Pëllumbi mungon në mbledhjet e PS-së
Ish-kryetari i fundit socialist i Kuvendit, profesor Pëllumbi, nuk ishte dje në mbledhjen e Këshillit Politik të Partisë Socialiste. Kjo është mungesa e dytë brenda pak ditëve e profesorit të socialistëve në mbledhje të rëndësishme të PS. Të shtunën, në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, Pëllumbi mungoi në një mbledhje që nuk pritej të kishte vendimmarrje, por vetëm raportime të sukseseve të arritura nga PS, në thithjen e mendimeve për programin e ri, apo dhe anëtarësimet e reja. I kontaktuar në telefon, Pëllumbi u shpreh se mungesa e tij në dy mbledhjet e fundit ishte për arsye familjare.
Gjinushi e Ndoka i përgjigjen Ramës: Aty ku ka tym, ka dhe flakë
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi dhe ai i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, iu përgjigjën me batuta deklaratës së kryesocialistit Edi Rama, bërë në adresë të tyre. Të shtunën, në një mesazh në rrjetin social Twitter, është shprehur se aleatët flasin në tym. Keqardhje për reagimin në tym të aleatëve ndaj PS! PS mbron të njëjtën bindje me ta, por ska në dorë ta përmirësojë pa konsensus sistemin, u shpreh Rama pas deklaratës së katër kryetarëve të partive aleate se po tradhtohen nga PS në reformën zgjedhore. Socialdemokrati Gjinushi dhe demokristiani Ndoka iu përgjigjën batutës së Ramës se nëse ka tym, ka ardhur vetëm nga zjarri që ka ndezur vetë Rama. Aty ku ka tym, ka gjithnjë zjarr, por aty ku ka zjarr, jo gjithnjë ka tym, është shprehur dje Gjinushi. Ndërsa Ndoka ka kërkuar nga Edi Rama të fikë zjarrin që ka ndezur në gjirin e koalicionit opozitar ku ai bën pjesë momentalisht. Gjinushi dhe Ndoka kërkojnë që Partia Socialiste të mbrojë interesat e së majtës, duke këmbëngulur veçanërisht në kërkesën për rishikim të sistemit zgjedhor. Sipas tyre, socialistët nuk duhet të tregohen kokulur dhe inferiorë ndaj maxhorancës. Aleatët kryesorë të Partisë Socialiste lëshuan apel të fortë ndaj kreut socialist Edi Rama për të pranuar kërkesën e ndryshimit të sistemit zgjedhor. Në të kundërt, ata paralajmëruan divorcin nga koalicioni.
ARISTIR LUMEZI
