E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grupi, jo votë të fshehtë për bojkotin

Rama i përgjigjet kërkesës së deputetëve të Lëvizjes për Mendimin Ndryshe
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u shpreh kundër votimit të fshehtë në grupin parlamentar kur të vijë momenti i diskutimit të çështjes së bojkotit. Rama u deklarua i sigurt se gëzon mbështetjen për misionin e PS-së, ndërkohë që garantoi se, nëse nuk do të ketë zgjidhje nga dialogu, atëherë do të jetë vetë populli që do ta japë atë përmes rrugës dhe protestave. Rama këmbënguli se nuk ka ndërmend të bojkotojë zgjedhjet e ardhshme lokale por kërkon të vendosen rregullat e lojës për proces të ndershëm zgjedhor. Në një intervistë në emisionin “5 pyetje nga Babaramo” në “News 24”, Rama bëri një skaner të zhvillimeve të fundit politike, lidhur me tryezën e Presidentit, arsyet pse kërkohet që negociatori të jetë Bamir Topi, kushtet me të cilat ai do të paraqitet në tryezë si dhe mundësinë e dështimit të kësaj marrëveshjeje. Në rast të kundërt, vlerësoi Rama, protestat do të vijojnë më të mëdha se ato të muajit nëntor, pasi këtë herë opozita është shumë herë më afër qëllimit të saj. I pyetur në lidhje me deputetët kundërshtarë të vendimit për bojkot, Rama tha se rruga e tyre nuk është rruga e PS. “Nuk kam dëshirë të merrem me këta persona. Rruga e tyre, për fat të keq, nuk është rruga e PS, por përputhet me rrugën e Sali Berishës kundër PS-së dhe interesave të saj”, u shpreh Rama, ndërsa nuk dha asnjë përgjigje kur u pyet nëse pesë deputetët kundërshtarë vijojnë të jenë ende deputetë të këtij grupi parlamentar. Lidhur me kërkesën e Ben Blushit për të hedhur në votim të fshehtë çështjen e bojkotit, Rama u përgjigj se “unë jam zgjedhur kryetar i PS, pasi dhashë dorëheqjen, kur u hap një garë dhe pasi konkurrova me një propozim të thjeshtë. Kërkova votën e Partisë Socialiste për të vazhduar betejën për demokraci, duke bojkotuar Parlamentin deri në realizimin e kërkesave tona dhe duke i organizuar në rrugën e protestave për hapjen e kutive”. Votimi, tha Rama, ishte i qartë, i pastër, i prekshëm dhe 90 e ca për qind e votuesve më dhanë mandatin për ta udhëhequr PS në këtë rrugë. “Nuk ka votë të fshehtë të përfaqësuesve të popullit për qëndrimin, ka votë të fshehtë për zgjedhje. Por nuk ka votë të fshehtë për qëndrime as në Parlament. Ka transparencë qëndrimesh, sepse populli që të ka zgjedhur do të dijë çfarë qëndrimi ka”, tha Rama. I pyetur mbi fatin e tyre në PS, Rama deklaroi se çdo njeri e ka fatin në dorën e tij. “Unë nuk jam administrator i fatit të askujt në mënyrë personale. Jam kryetar i PS-së, e cila është një bashkim vullnetar që ka parime, vlera dhe rregulla të shkruara e të pashkruara të bashkëjetesës që sigurisht, secili duhet t’i respektojë”, vijoi ai. Rama qartësoi se, nëse do dështojnë negociatat dhe Berisha nuk lëshon pe, atëherë siç tha ai “nëse nuk e zgjidh dialogu në tryezë, do ta zgjidhë populli në rrugë”. I pyetur mbi rolin e Presidentit, Rama tha se PS nuk po kërkon asnjë arbitër zgjedhjesh, por e respekton atë si Presidentin e vendit që qëndron mbi palët. “Dua të theksoj se ne nuk e kemi problemin me Presidentin, edhe pse nuk e kemi zgjedhur ne. Kemi qenë kundër por ne sot jemi të gatshëm dhe të ulemi në një tryezë më të, sepse ai është i zgjedhur dhe është autoriteti më i lartë i vendit”, u shpreh Rama. Më tej, ai përmendi rezolutën e KiE duke e përshëndetur atë si ligjin dosjeve dhe gjithë shkeljet kushtetuese të Berishës.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›