E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grupi parlamentar i PS, Edison Konomi zëvendëson Seserin

TIRANE - Edison Konomi, duket se do të jetë deputeti më i ri i Partisë Socialiste, në vend të deputetes së dorëhequr, Rudina Seseri. Në fakt, në listën e kandidatëve për deputetë të qarkut të Durrësit, i takonte që të zinte vendin e Seserit, Gjon Bardhit.
Por, aktualisht Bardhi mban postin e kreut të Bashkisë së Fushë-Krujës dhe për shkak të papajtueshmërisë së mandatit nuk mundet që t’i kryejë të dyja funksionet.

Pas bisedave që janë zhvilluar mes tij dhe kreut të PS-së, Edi Rama, madje edhe pas një bisede të mbrëmshme në takimin që u zhvillua në Durrës, Gjon Bardhi pritet të deklarojë sot, se heq dorë nga mandati i deputetit dhe ia lë atë, kandidatit tjetër në radhë, Edison Konomit.
Është logjikuar më mirë që Bardhi të çojë deri në fund mandatin e drejtuesit vendor në këtë bashki, pasi në rast të zgjedhjeve të reja, nuk mund të jetë 100% e sigurt që këtë bashki e fiton sërish e majta. Edison Konomi ka mbajtur postin e kreut të PS-së për qytetin e Durrësit.

Ai u komandua kryetar i kësaj dege në vitin 2009-të, kur Gazmir Bizhga u zgjodh si sekretar rajonal dhe nuk mund të mbante dy mandate. Konomi është diplomuar në Universitetin Politeknik Tiranë, në fakultetin e Inxhinierisë Elektrike. Ai njihet në profesionin e tij si bankier.
Konomi pritet të zërë vendin e Seserit dhe bëhet deputeti më i ri i socialistëve, në Kuvendin e Shqipërisë. Ndërkohë që mbetet në pritje, nëse edhe Pandeli Majko do të zëvendësohet, në rast të lajmit të mirë, për zgjedhjen si një nga zëvendësit e Ban Ki Moon në OKB.

(er.nu/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›