E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet këshilltari i Priftit

 

ELBASAN/ ALDO KOZARIA

Abuzimi prej 6.5 milionë euro në DARFO çoi dje në pranga katër ish-punonjës të kësaj kompanie. Sektori i krimit ekonomik dhe ai i krimit të organizuar në policinë e Elbasanit arrestuan këshilltarin e Ministrit të Energjetikës, Eduart Belegu, i cili në periudhën e abuzimeve të kryera ka pasur detyrën e administratorit të kësaj kompanie. Gjithashtu, gjatë operacionit të kryer, u prangosën edhe ish- punonjës të tjerë në pozicione drejtuese pranë DARFO-s, Tonin Gjonaj dhe Fatos Pengu, si dhe ish-magazinieri i kësaj kompanie, Artur Belegu. Burime nga prokuroria e rrethit bënë të ditur se pas një pune intensive prej gati dy vitesh, ekspertët e krimit ekonomik dolën në përfundimin se katër personat kanë shpërdoruar detyrën nëpërmjet vjedhjes.
Hetimi
Gjithçka ka nisur nga një dyshim i përfaqësuesve të kompanisë italiane, e cila ka marrë me koncesion uzinën e ferrokromit të Elbasanit. Kompania kërkoi nëpërmjet ekspertëve të saj të ekonomisë një kontroll të detajuar të të gjitha lëvizjeve financiare të kryera, nga ku më pas rezultuan edhe abuzimet në shuma marramendëse. Pas këtij konstatimi, ata shkarkuan nga detyra katër punonjësit, duke mos kursyer as administratorin Belegu. Pas shkarkimit të tyre u krye edhe denoncimi. Sipas burimeve, përfaqësuesit e DARFO-s vunë menjëherë në dijeni sektorin e krimit ekonomik në Policinë e Shtetit, si dhe atë të pastrimit të parave. Gjithashtu hetimet i nisi edhe Prokuroria e Elbasanit, e cila caktoi për këtë çështje 2 ekspertë kontabël. Këta të fundit, pasi kaluan në sitë gjithë dokumentacionin e DARFO-s, hartuan një raport përfundimtar të cilën ia dorëzuan organit të akuzës. Shuma e shënuar prej tyre si abuzim i kryer nga ana e katër punonjësve të kompanisë ishte plot 6.5 milionë euro. Burime nga Prokuroria e Elbasanit bënë të ditur se dyshohet se personat kanë punuar në bashkëpunim me shitjet e makinerive, të furrave që shkrijnë metalin, si dhe objekte të tjera të hekurta të uzinës së ferrokromit. “Furrat që peshojnë disa tonë, por edhe makineritë e tjera, janë shitur për skrap nga ana e të arrestuarve”, bënë të ditur mbrëmë burime nga Prokuroria e Elbasanit. Mësohet se hetimi për këtë ngjarje ka zgjatur plot 21 muaj më parë, për shkak të veprës dhe veprimeve të komplikuara të kryera nga ana e të arrestuarve. Operacioni për prangosjen e tyre është kryer dje një e nga një, duke qenë se vetëm dy prej tyre jetojnë në Elbasan. Ndërsa dy të tjerët jetojnë në Tiranë dhe Durrës. Në bashkëpunim edhe me policitë e këtyre qarqeve është arritur të arrestohen të kërkuarit, për të cilët Gjykata e Elbasanit kishte vendosur një ditë më parë masën e sigurisë arrest me burg. “Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin i kanë shkaktuar një dëm shtetit në shumën prej 6 milionë e gjysmë euro gjatë periudhës 2004-2007, kohë në të cilën kompania që ata drejtonin ka marrë me koncesion Uzinën e Ferrokromit në Metalurgjikun e  Elbasanit”, bëri të ditur policia. Gjatë operacionit të kryer, policia nuk ka hasur në rezistencën e asnjërit prej tyre. Ata janë marrë në pyetje gjer në orët e vona, por grupi i hetimit nuk dha të dhëna në lidhje me deponimet e tyre, për shkak edhe të hetimeve të mëtejshme të kësaj vepre penale.
Ministria
Pas arrestimit të këshilltarit të Ministrisë së Energjetikës reagoi mbrëmë zyrtarisht edhe ministri Dritan Prifti. Ai urdhëroi shkarkimin nga detyra të Eduart Belegut. “Ministri Dritan Prifti u njoh me vendimin e Gjykatës së Elbasanit për arrestimin e Eduard Belegut, këshilltar për minierat.  Për t’i hapur rrugë hetimeve, ministri urdhëroi lirimin e tij nga detyra. Nga njoftimi i Prokurorisë së Elbasanit rezulton që ndalimi është bërë për veprime të viteve 2004-2007, kur Belegu punonte si administrator i një kompanie private. Ministri shpreson që organet e drejtësisë të bëjnë detyrën për zbardhjen e plotë të kësaj çështje”, thuhej në njoftimin zyrtar të ministrisë.

Belegu anëtar i KDK të LSI-së
Eduard Belegu është anëtar i Këshillit Drejtues kombëtar të LSI-së. Që në krijimet e saj, në 2004 ai i është bashkuar forcës më të re politike të sapo krijuar në atë kohë dhe ka qenë mjaft aktiv në veprimtarinë politike të kësaj force. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, Eduard Belegu ish-kandidat për deputet në zonën elektorale numër 86 në Pogradec, ku kishte përballë kandidatin socialist Maqo Lakrori dhe kandidatin demokrat, Besnik Jaçelli, i cili pak kohë më vonë u nda nga jeta në një aksident automobilistik. Në ato zgjedhje, Belegu arriti të merrte 2226 vota, duke ndikuar realisht në humbjen e PS në këtë zonë, e cila ishte kthyer në një bastion të majtë prej shumë vitesh. Por aktiviteti i Belegut ka qenë mjaft i dukshëm në të gjitha aktivitetet politike të LSI-së, ku ai gëzonte një mbështetje të lavdërueshme në radhët e të rinjve. Dy muajt e fundit, pas krijimit të qeverisë së re, Belegu u emërua Këshilltar i Ministrit të Energjetikës, Dritan Prifti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›