E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitet me armë fugoni, 17 pasagjerë përjetojnë momente tmerri

 

BURREL - Dy persona të maskuar dhe armatosur grabitën mëngjesin e djeshëm fugonin e linjës Selishtë-Tiranë, në vendin e quajtur “Mali i Shemërisë”. Rreth orës 08:05 fugoni me targa TR 9813 H ka rënë pre e një grabitjeje në territorin e komunës Lis. Lajmi është mësuar afro dy orë më vonë, kohë kur shoferi i mjetit Dervish Budini dhe 17 pasagjerët kanë mbërritur para komisariatit të policisë Mat, ku kanë denoncuar ngjarjen. Thuhet se një prej personave që grabiti pasagjerët mbante një armë kallashnikov dhe qëndronte pak metra larg fugonit, ndërkaq u bënte thirrje pasagjerëve të dorëzojnë paratë që kishin me vete. Personi tjetër, i cili mbante kapele, ka mbërritur pranë fugonit dhe ka nisur të grumbullojë paratë e pasagjerëve. Personi i armatosur sipas shoferit të fugonit, Dervish Budini, thërriste herë pas here: “Dorëzoni shpejt lekët që keni me vete”. Po sipas Budinit, “4-5 persona, kryesisht të moshuar, dhe gra nxorën nga xhepat dhe çantat paratë që kishin me vete. Personi që mbante armën na thërriste të dorëzonim shpejt lekët, ndërsa personi tjetër kishte ardhur pranë fugonit dhe merrte paratë që pasagjerët i jepnin. Me ç’më thanë udhëtarët dy personat grabitës kanë grumbulluar të paktën 210 mijë lekë të vjetra. Unë kisha me vete afro 500 mijë lekë të vjetra, po ashtu pasagjerët e tjerë kishin me vete shumë lekë, por fatmirësisht nuk pati të shtëna dhe dhunë mbi ta”, u shpreh Budini. Policia nisi hetimet ndërsa shoqëroi në komisariat 4 të dyshuar.             h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›