E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grupi shqiptar i baletit fiton çmimin e parë në Poloni

Autori i Lajmit: red.
Grupi artistik shqiptar i “Shkollës Kombëtare të Baletit”, i përbërë nga njëmbëdhjetë çifte balerinësh, në një prezencë artistike prej 34 artistësh dhe drejtuesish, ka fituar çmimin e parë, në edicionin e tetë të Takimit të Folklorit në Botë. Kjo veprimtari u organizua nga 11-18 gusht 2008 në Poloni, nën okelion “Integrim 2008”. Grupi shqiptar i baletit mori pjesë si i ftuar. Ky festival zhvillohej nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës dhe Trashëgimisë Popullore të Polonisë dhe u mbështet nga institucionet kryesore të Kulturës dhe Sporteve të Polonisë, si dhe nga një numër i madh firmash sponsorizuese në Poloni. Në këtë Festival ishin të pranishëm me grupe artistike: Shqipëria, Polonia (2 grupe), Maqedonia, Çekia, Turqia dhe Lituania. Synimi kryesor i organizatorëve të Festivalit ishte kontakti i drejtpërdrejtë i artistëve të rinj me publikun polak në disa prej qyteteve të Polonisë, përgjatë një jave artistike, mjaft të ngjeshur në program, kompeticion dhe kualitete artistike. Grupi shqiptar paraqiti një larmi të madhe motivesh të valleve shqiptare, shumëllojshmëri kostumesh dhe dinamizëm e profesionalizëm të nivelit të lartë, bëri të ditur për mediat ambasadori shqiptar në Poloni, Florent Çeliku, i cili ndoqi nga afër veprimtarinë. Këto vlera u çmuan nga publiku polak përmes një sistemi votimi të hapur në sheshet ku u dhanë shfaqjet nga trupat e ftuara dhe u konludua me dhënien Shqipërisë të Çmimit të vetëm të Festivalit, “Çmimi i Publikut”, në Koncertin Final të zhvilluar në Sheshin e Poznanit, mbrëmjen e së dielës. Vallet e bukura shqiptare u pritën me ovacione të zjarrta nga të pranishmit dhe me rastin e marrjes së Çmimit, iu transmetuan përgëzimet nga autoritetet polake, drejtoreshës së Shkollës së Baletit, Blerina Arbana Tusha, dhe ambasadorit Çeliku.
Ky lajm është publikuar: 19/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›