Grupit amerikan SIVA Partners zgjedh Shqiperine per investime
Potencialet konkrete investuese të Shqipërisë në shumë fusha ishin në qendër të bisedës së zhvilluar dje mes kryeministrit, Sali Berisha dhe përfaqësuesve të Grupit amerikan SIVA Partners, të kryesuar nga z. Simon Elyakim. Kështu, gjatë këtij takimi, president i këtij Grupi, Elyakim i prezantoi shefit të qeverisë shqiptare një projekt të madh në fushën e turizmit dhe argëtimit, të quajtur The Millennium Casino & Resort. “Ky projekt është rezultat i klimës tërheqëse të biznesit në Shqipëri, i gjeografisë së saj dhe klimës shumë tërheqëse për turistët. Ai synon krijimin e një qendre të madhe turistike në Ballkan”, tha Elyakim. Gjithashtu, z Elyakim i prezantoi Kryeministrit Berisha portofolin e interesave të Grupit për investime në Shqipëri në fushat e infrastrukturës, në rrugë, hekurudha, ku përfshihet edhe hekurudha Shqipëri – Kosovë, si dhe vepra të tjera si tunele, porte, në fushën e hidrokarbureve, përfshirë edhe privatizimin e Albpetrol, etj. Interesi i Grupit përmblidhte edhe ndërtimin e Tram-it të Tiranës. Ai i tha Kryeministrit se pas një sërë studimesh në rajon, Grupi kishte përzgjedhur Shqipërinë si vendin më të përshtatshëm për investimet e tyre.