Grushtat gjatë derbit, FSHF paralajmëron masa
TIRANE- Federata Shqiptare e Futbollit ka kërcënuar me masa tepër të ashpra për ngjarjet e ndodhura në derbin mes Tiranës e Dinamos, por edhe për ato të Vlorës. Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së ka zhvilluar një mbledhje urgjente për situatën e krijuar, ndërsa presidenti Armand Duka u shpreh se do të veprohet me dorë të rëndë, pasi askush nuk ka imunitet ndaj dhunës. “Në emër të të gjithë komitetit të futbollit unë duhet ti kërkoj falje tifozëve të Vlorës, të Tiranës dhe futbollistëve të Tiranës, duhet ti kërkoj falje dhe atyre futbollistëve të dëmtuar. Kam besimin e plotë se ne si komitet do të gjejmë forcat për ti korrigjuar brenda vetes dhe për të rivendosur atë që kërkon loja më e bukur në botë, fairplay. Asnjë nuk mund të ketë imunitet për të përdorur dhunë. Asgjë nuk e përligj shfaqjen e dhunës , qoftë dhe një gabim i gjyqtarit , qoftë dhe një gabim i futbollistit, dhna duhet dënuar.” theksoi Armand Duka, president i FSHF Pas ngjarjeve në Vlorë, ku arbitri anuloi pas presionit penalltinë, derbi mes Tiranës dhe Dinamos ditën e hënë degjeneroi në grushta e shkelma mes futbollistëve. Kapiteni i Tiranës Devi Muka dhe trajneri Alban Tafaj goditën me grushta Elis Bakajn dhe të dy rrezikojnë dënime tepër të rënda nga Komisioni i Disiplinës. Ngjarja, e ndodhur në Qemal Stafa, në sytë e presidentit të Republikës dhe të trajnerit të kombëtares, shënoi një nga episodet më të turpshme në futbollin shqiptar vitet e fundit. (e.n/A.Latifi/BalkanWeb)