E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bulqizë, protestuesit bllokojnë për të tretën ditë minatorët



BULQIZE - Shënon ditën e tretë protesta e banorëve të Bulqizës. Ata janë tubuar sërish në rrugën që të çon në zonën D, ndërkohë nuk kanë munguar thirrjet drejtuar strukturave shtetërore për largimin e subjekteve pirate nga minierat dhe stoqet. Protesta e ish-minatorëve dhe disa banorëve të ardhur nga Fushë-Bulqiza ka penguar mbi 300 minatorë për të vajtur në frontet e punës, pasi mjetet e tyre të transportit nuk kanë mundur të lëvizin për shkak të bllokimit të rrugës. Një përfaqësi e protestuesve prej tre personash, është pritur dje në një takim nga prefekti i Qarkut të Dibrës, Xhafer Seiti. Veli Doga, Ismail Shyti e Zaim çupi i janë shprehur prefektit të këtij qarku se janë konstatuar parregullsi të mëdha në shfrytëzimin e mineralit të kromit. "Situata nuk është aspak normale dhe se mund të ketë konfrontime mes grupeve të interesit", janë shprehur përfaqësuesit e banorëve të Bulqizës. Nisur nga kjo situatë, prefekti Seiti i ka dërguar një shkresë krerëve të shtetit, duke i kërkuar ndërhyrjen për zgjidhjen e saj. Nga ana e tyre, protestuesit kërcënojnë me bllokimin e rrugës nacionale Bulqizë-Tiranë. Megjithëse rruga edhe dje ishte e bllokuar policia lokale dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë që janë dislokuar në këtë zonë nuk kanë ndërhyrë. h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›